Gjykata e Tiranës ka rrëzuar padinë për shpifje që Shkëlzen Berisha ngriti ndaj Taulant Ballës, por Berisha deklaroi se do e apelojë këtë vendim.
Deputeti socialist në një deklaratë për mediat tha se vendimi ishte një triumf i drejtësisë, ndërsa Shkëlzen Berisha deklaroi se Taulant Balla vazhdon të shpifë se nuk është e vërtetë që gjykata arriti në konkluzion se Shkëlzen Berisha ka detyrime ndaj tatimeve.
Reagimet e tyre kanë ardhur menjëherë pas daljes nga seanca gjyqësore. “Ky është një triumf i drejtësisë lidhur me një rast të rëndësishëm që qartëson edhe arsyet se pse Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi janë turrur për të penguar sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Sepse gjykata sot vendosi që të rrëzojë poshtë një kallëzim të bërë nga i biri i Sali Berishës. Në këtë vendim të arsyetuar të gjykatës ku konfirmohet qartë që Shkëlzen Berisha, gjatë kohës që babai i tij ka qenë kryeministër ka kryer evazion fiskal madje nuk ka paguar detyrimet tatimore të fitimeve marramendëse. Këto nuk janë përgjime por janë prova kuptimplota sesi funksiononte regjimi asokohe dhe sesi pasuroheshin në kurriz të shqiptarëve”, deklaroi Balla
Menjëherë pas tij reagoi Shkëlzen Berisha. “Taulant Balla vazhdoi të shpifte. Nuk është aspak e vërtetë se gjykata arriti në konkluzionin se Shkëlzen Berisha ka detyrime ndaj tatimeve. “Gjykata çmoi se nuk ka tagrin për të vërtetuar nëse pretendimet e zotit Balla ishin ose jo të vërteta. Kjo është qesharake sepse institucioni që ka tagrin ta bëjë këtë është zyra e tatim-taksave. Përderisa Shkëlzen Berisha nuk ka asnjë detyrim në zyrën e tatim-taksave, gjë që është fakt publik, gjykatësja ka dashur të lajë duart për shkak të presionit politik të organizatës kriminale në pushtet”, deklaroi Shkëlzen Berisha. Ai paralajmëroi se do të ankimojë vendimin deri sa të marrë drejtësi.