Në një tjetër akt të luftës politike të gjykatave me qeverinë, Gjykata Administrative ka urdhëruar Ministrinë e Financave dhe Thesarin e Shtetit t’i kalojë Gjykatës së Posaçme pagat e reja, që ajo i ka caktuar vetes, pa pyetur Kuvendin. Ministria e Financave thotë se do të presë miratimin e ligjit nga Kuvendi.
Por vendimi i Gjykatës Administrative është faktikisht pa vlerë, pasi hyn në fuqi pas datës 17 shtator kur do jetë Kuvendi që do përcaktojë rrogat e reja të drejtësisë.
Ditën e djeshme, 10 shtator, shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kallëzuan në SPAK ministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, si dhe drejtuesit e Thesarit në rrethe pas ngërçit të krijuar me pagat.
Për të disatën ditë Dhoma Penale dhe Civile e Tiranës kanë bojkotuar punën si pasojë e situatës së krijuar për pagën e muajit gusht. E njëjta panoramë u paraqit edhe në Gjykatën e Fierit dhe atë të Lushnjes, ku qytetarët pritën me orë të tëra të merrnin shërbimet.
Punën e bojkotuan sekretarët dhe kancelarët, ndërsa gjyqtarët nuk iu bashkuan bojkotit.
Një vendim i tillë ka ardhur pas situatës së krijuar ditët e fundit me çështjen e pagave në sistemin e drejtësisë. Të martën, në Gjykatën e Lartë u mblodhën kryetarët e gjykatave të Republikës, të cilët vendosën të mos bojkotojnë punën dhe të vijojnë punën normalisht, deri në zgjidhjen e çështjes nga Kuvendi.


