“Gjyqi në Hagë, kafshatë e vështirë”, Rama: Nuk ka forcë në tokë që ta bëjë UÇK-në kriminale!

KOSOVA


Kryeministri Edi Rama e konsideron “kafshatë të vështirë” gjyqin që zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në një video-mesazh për emisionin Opinion në Tv Klan, Rama thotë se lufta e UÇK-së dhe popullit të Kosovës nuk mund të njolloset dhe të bëhet kriminale nga asnjë lloj vule.


Kryeministri Edi Rama: Nuk ka asnjë dyshim që gjyqi ndaj Hashim Thaçit dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së në Hagë është një kafshatë tejet e vështirë për t’u kapërdirë, tejet e vështirë. Aq më tepër kur mendon që ajo gjykatë nisi të marri jetë si ide bazuar mbi një raport të mbushur me trillime për të kriminalizuar UÇK-në, luftën çlirimtare të Kosovës. Bazuar në fantazira që do t’i shkonin filmave të kategorisë së tretë të hollivudit, po nuk mund t’i shkojnë kurrë kurrë Këshillit të Europës, trafik organesh njerëzore nga ushtarët, nga komandantët, nga drejtuesit e UÇK.

Diçka që nuk ka ndodhur kurrë, diçka për të cilën nuk ka pasur kurrë asnjë provë, diçka që është shkruar e bardha mbi të zezë, ama si një fakt dhe është miratuar me kërkesën e delegacionit rus dhe pastaj me një numër të madh votash ku lavdi për hir të vërtetës PS në këtë rast, vota jonë atëherë në opozitë nuk është bashkuar dhe ja ku jemi sot.

Ja ku jemi sot, është vërtetë e dhimbshme por nga ana tjetër është tanimë një proces ku mesa duket ishte e shenjuar në fatin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve që jo vetëm të ndërmerrnin nismën më të çmendur, më të pabesueshme dhe më praktikisht të papranueshme në kohën kur u ndërmor për të marrë armët për të çliruar tokën e tyre, por dhe të përballin sot nismën më të çmendur, më të pabesueshme dhe më të papranueshme për t’u gjykuar si kriminel lufte.

Vetëm një gjë dua ta them në fund dhe ju siguroj që nuk e them si një fjalë që duhet thënë në fund, as si një përpjekje për vetëngushëllim. Nuk ka forcë në këtë tokë që e mund UÇK-në dhe që e bën kriminale me asnjë lloj vule, në asnjë lloj instance luftën për liri të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës. Në fund UÇK-ja do fitojë përsëri. Siç fitoi luftën me regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviçit, do të fitojë dhe luftën me një padrejtësi të madhe ndërkombëtare.




Skip to toolbar