Policia e Lushnjës ka arrestuar një 27-vjeçar, pasi ka kundërshtuar dhe goditur me grushta dy punonjës të patrullës së policisë. Sipas një komunikate publike të Policisë së Shtetit, mësohet se në prangat e efektivëve Blu në Lushnjë, është arrestuar në flagrancë shtetasi me inicialet E.B., 27 vjeç banues në Divjakë.
Ky shtetas, është arrestuar në rrugën e plazhit të Divjakës. Sipas policisë, në këtë aks rrugor, patrulla e policisë me dy efektivë, ka ndaluar 27-vjeçarin por ai ka refuzuar t`i bindet punonjësve të policisë duke i kundërshtuar ata me dhunë.
27-vjeçari i ka qëlluar të dy punonjësit e patrullës me grushta, por nuk ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes, duke u arrestuar në flagrancë. Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit E.B., i kanë kaluar Prokurorisë së Lushnjës për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.