Goditja e “Fake News”, miratohen ndryshimet ligjore nga Këshilli i Ministrave

AKTUALITET


Qeveria ka miratuar zyrtarisht paketën ‘anti-shpifje’ apo kundër “Fake News”. Vendimi është marrë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, ndërsa sqarimin për këtë paketë të re ligjore e ka bërë në një konferencë për shtyp ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ajo theksoi se paketa synon ndërhyrjen në ligjin “Për mediat audiovizive”, ligjin, “Për komunikimet elektronike” dhe ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Në thelb, paketa e re ‘anti-shpifje’ ka goditjen e lajmeve të rreme, që kryesisht shpërndahen në portale të paregjistruar, me burime të panjohura financimi apo pronarë të panjohur. Për këtë arsye, me ndryshimet ligjore, të gjitha  portalet dhe platformat ‘online’ do të duhet të regjistrohen. Sipas Etilda Gjonaj, ekzistojnë  shumë portale të paregjistruara që janë një nga hallkat kryesore të përhapjes së lajmeve të rreme, për interesa nga më të ndryshme, nuk garantojnë pavarësinë e gazetarëve, por edhe prishin konkurrencën e drejtë mes mediave.


Sipas ministrse ndryshimet ligjore do të sigurojnë procedura të shpejta administrative mbi trajtimin e ankesave për programet e publikuara nga Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike. Reagim të shpejtë të institucioneve publike në rast të konstatimit të cënimit të të drejtave të indidëve, duke parashikuar një procedurë të qartë me hapa konkretë për trajtimin e ankesave. ​

Krijimin e një regjistri që administrohet nga AKEP ku regjistrohen Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike, të pajisur me numër të regjistrimit të personit të tatueshëm, ose të regjistruar në regjistrat tregtarë. ​Ofruesit e shërbimeve mediatike do të monitorohen nga AMA. Paketa e re ligjore kundër “Fake News” nuk cenon lirinë e shprehjes dhe të pluralizmit të medias, siç opozita ka akuzuar, u shpreh Etilda Gjonaj.




Skip to toolbar