Të paktën pesë persona kanë mbetur të vdekur nga përplasja e një helikopteri me një aeroplan të vogël në Majorka. Ngjarja ka ndodhur këtë të diel, teksa mësohet se tre personat në helikopter dhe dy në aeroplan, kanë mbetur të vdekur. Policia ka njoftuar se mes viktimave është dhe një i mitur.
Rrëzimi ndodhi në orën 13:35 me orën lokale të Majorkas. Ekipet e emergjencës kanë shkuar në vendin e ngjarjes, por pamundur të shpëtojnë jetë njerëzish. Ndërkohë autoritetet kanë nisur një hetim për aksidentin, i cili ndodhi në qytetin Inca. Ende nuk dihet kombësia e viktimave të aksidentit, ndërsa mediat lokale raportojnë që ata mund të jenë turistë.
Majorka është një nga ishujt e preferuar për turistët në Spanjë. Presidentja e ishujve Balearik, Francina Armengol, ka shkruajtur në rrjetet sociale, duke u shprehur se “po e ndjekim me shqetësim aksidentin ajror”, duke theksuar se “ka mbetur e tronditur”.
Mediat lokale raportojnë se aksidenti ka ndodhur në ajër, por pas përplasjes në tokë, ka pasur shpërthim të madh të dy mjeteve fluturuese.