Një shkronjë i mohoi pensionin, Rama publikon sms e qytetarit: Falë qeverisë, nëna mori djersën e saj

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka treguar shpesh në rrjetet e tij sociale, probleme të qytetarëve, të cilat janë zgjidhur pasi ata kanë kërkuar ndihmë nëpërmjet portalit qeveritar. I tillë është dhe një rast i fundit. Shefi i qeverisë ka publikuar mesazhin e një qytetari shqiptar që banon në SHBA, por që rrëfen historinë e nënës së tij. Shkruesi i sms ndaj kryeministrit, tregon se si nëna e tij kur mbushi moshën e pensionit, nuk arriti të gjente vitet e punës, dhe për këtë u detyrua të niste një seri gjyqesh.

“Përshëndetje zoti Kryeministër. Nuk mund të rrija pa ju shprehur një falënderim që ka të bëj me ndryshimet rrënjësore që keni ndërmarrë. Nëna ime është rritur jetime, pa nënë, dhe kjo brengë e ndjek pas gjithmonë. Në kohën kur plotësoi moshën, aplikoi për pension por rezultoi se i kishin humbur gjysma e viteve të punës. Hapëm proces gjyqësor dhe përsëri nuk mori atë që i takonte. Falë zotit prindërit e mij nuk janë nevojtarë ekonomikisht dhe nuk rrojnë me pensionin që marrin, por nëna ime e vuante këtë, dhe gjithmonë shprehej se ishe e pafat, prandaj dhe zoti e ‘kish lënë jetime, thjesht dua atë që meritoj’, dhe kjo më vriste shumë”, shkruan ndër të tjera qytetari.


Më tej ai tregon se hapi përsëri një tjetër gjyq për të gjetur vitet e humbura të punës të nënës së tij, por përsëri nuk pati sukses. Në kushtet e dëshpërimit, familja e lë këtë histori, por një i afërm i tij shkruan te portali qeveritar, dhe aty merr zgjidhje situata. Qytetari tregon se nënës së tij jo vetëm iu gjetën vitet  e humbura të punës, për një gabim në emër, por ajo mori paratë e 9 viteve bashkë.

“Në kohën kur prindërit e mi hapën gjyqin para 9 vitesh, babai in nuk pagoi sa duhej dhe çështja u mbyll. Para pak kohësh kunati im shkruajti në portalin e qeverisë dhe për një kohë rekord drejtësia u vendos, u gjend që në dokumenta ish gabim një shkronjë dhe nëna imë mori paratë e 9 viteve. Nuk po e shkruaj këtë falënderim për paratë së falë zotit nuk kanë nevojë, banojnë në USA dhe Shqipëri, por për lehtësimin shpirtëror që ndjeu, mori djersën e saj. Nëna ime quhet Fatmire Pllaha. Edhe një herë faleminderit dhe pushime të këndshme familjarisht”, përfundon sms e qytetarit dërguar kryeministrit Rama.




Skip to toolbar