Helm minjsh në ushqimet HiPP për bebe? AKU qetëson qytetarët: Asnjë rast në Shqipëri

AKTUALITET


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se aktualisht nuk ka njoftim nga autoritetet europiane për praninë e ushqimit për fëmijë HiPP të kontaminuar në Shqipëri.

Në kavanozat prej 190 gr me karrota dhe patate të HiPP të shpërndara në Austri sipas mediave nderkombetare u gjet helm për minj dhe produkti u tërhoq nga më shumë se 1 mijë supermarkete për shkak të frikës për sigurinë.

Pas kësaj ngjarje ABC News pyeti pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit zyrtarët e të cilit thanë se sistemi i njoftimit të shpejtë për ushqimin dhe ushqimin për kafshë nuk ka sinjalizuar për të njejtën seri te produktit në vendin tonë.

Vetë kompania Hipp ka deklaruar se nuk mund të përjashtohet mundësia se kavanozët mund të ishin manipuluar dhe se substanca te ishte futur në to. Ajo keshilloi klientët të mos konsumonin përmbajtjen e kavanozëve të blerë nga Spar Austria.

Policia austriake tha se kavanozët e prekur kishin një shirit me rreth të kuq në fund, kapakët ishin të dëmtuar , iu mungonte vula e sigurisë dhe mbanin erë të pazakontë. Analizat laboratorike sipas medias nderkombetare zbuluan prani të lëndës toksike dhe në kavanoza të ngjashëm të sekuestruar nga policia në Çeki dhe Sllovaki.

Autoritetet europiane kanë dyshime se bëhet fjalë për sabotim. Megjithatë, që prindërit të jenë të qetë për përdorimin e HiPP duhet të vënë re gjatë hapjes zhurmën e kapakut që tregon se është i pahapur më parë. Si dhe të verifikojnë nëse vjen ndonjë aromë e keqe nga ushqimi.



Skip to toolbar