“Historia, tradhtia, xhepi dhe frika”, Medlir Mema analizon faktorët që ndikuan në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA

#NËRADAR


Në një bisedë në emisionin “Real Story” në ABC News, Medlir Mema ka analizuar faktorët që, sipas tij, ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mema i përmblodhi këta faktorë në katër elemente kryesore: historia, tradhtia, ekonomia dhe frika, duke argumentuar se secili prej tyre ka ndikuar në ndryshimin e qëndrimeve të votuesve amerikanë.

Sipas tij, humbja e vendeve nga partia në pushtet në zgjedhjet e mesmandatit është një fenomen i njohur historikisht, por përmasat e humbjes kërkojnë një analizë më të thellë.

Ai u ndal veçanërisht te pakënaqësia e bazës së lëvizjes MAGA ndaj presidentit Donald Trump, për shkak të ndërhyrjes në luftën me Iranin, duke kujtuar premtimin e tij elektoral për të mos përfshirë SHBA-në në luftëra të reja.

Një tjetër faktor, sipas Memës, ishte ndikimi ekonomik i konfliktit, veçanërisht rritja e çmimeve të karburanteve, e cila rëndoi drejtpërdrejt xhepat e qytetarëve amerikanë.

Sa i përket emigracionit, ai theksoi se frika nga politikat e arrestimeve dhe deportimeve ka ndikuar jo vetëm te emigrantët, por edhe te familjarët e tyre, përfshirë persona me nënshtetësi amerikane.

“Çfarë i bashkoi amerikanë…unë do thoja historia, tradhtia, xhepi dhe frika. E dimë shumë mirë që në zgjedhjet e mesmandatit partia në pushtet gjithmonë humb disa vende, por sasaa e humbjes është ajo që të bën të reflektosh. Në aspektin historik Kemi disa elemente strukturore që ndikojnë. Ndërsa çështja e dytë është çështja e tradhtisë, për faktin se kampi MAGA brenda partisë republikane ndjehen të tradhtuar për faktin se zoti Trump ndërhyri në luftën në Iran. Maga u ndje e tradhtuar sepse Trump premtoi që nuk do të kishte luftëra të reja. Lufta në Iran ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në xhepat e amerikanëve. Ajo që para një viti kushtonte më pak, këtë herë kishte dyfishim. Dhe në fund ishte frika që hyn te çështja e emigracionit. Vetë emigrantët që në fillim votuan për zotin Trump ato sot frikësoheshin sepse familjarë të tyre filluan të kapeshin në mes të rrugës. Madje dhe ata që kanë nënshtetësi amerikane janë me frikë. Pra është historia, tradhtia, xhepi dhe është frika”, tha Medlir Mema.



Skip to toolbar