Sot, parlamenti holandez ka miratuar një mocion për t’i kërkuar qeverisë holandeze që të kërkojë nga Komisioni Evropian që të aplikojë procedurën e “frenim emergjent” për të pezulluar lëvizjen pa viza të Shqipërisë për zonën Shengen. Vota jep një sinjal të fortë se Parlamenti holandez nuk është i impresionuar me përparimin e qeverisë shqiptare në trajtimin e krimit të organizuar.
Mocioni u propozua nga 4 deputetë holandez ndërsa u votua ditën e sotme në parlament.
Tashmë Holanda do ta dërgojë kërkesën e saj në BE, që do të ketë edhe fjalën përfundimtare të kufizimit të lëvizshmërisë pa viza për shqiptarët.
Megjithatë edhe nëse BE nuk e pranon këtë kërkesë, kjo jep një sinjal shumë të fortë se Holanda ka gjasa të votojë kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë në qershor. Ministri holandez i Punëve të Jashtme, Stef Blok konfirmoi në debatin parlamentar lidhur me mocionin se qeveria është kundër hapjes së negociatave:
“Parlamenti holandez konsideron se Shqipëria nuk është gati të fillojë negociatat e pranimit, sepse një numër i madh hapash duhet të bëhen për të arritur atje. Ky është pozicioni aktual i Holandës së bashku me një numër të vogël të vendeve të tjera evropiane”.