Hysenlliu: Godinat kaluan testin edhe ndaj një tërmeti të fuqishëm

AKTUALITET


“Godinat e kaluan testin!” Kështu deklaroi Drejtori i Institutit të Ndërtimit Agron Hysenlliu në emisionin “Real Story” në “News 24”. Hysenlliu tha se shumica e godinave të reja e kaluan testin dy herë një më 21 shtator dhe herën e dytë me 26 nëntor. Hysenlliu u shpreh në studion e “Real Story” se pavarësisht çarjeve të muraturave, struktura rezistoi e pa cenuar.

“Ndërtesat që po shemben janë ndërtesa që kanë pësuar dëme në strukturë dhe kanë pësuar gjendje kolapsi. Janë ndërtesa që kanë dalë jashtë përdorimit. Godinat kaluan një test. Testi në ata godina ishte vërtetë real. Testi u kalua më 21 shtator. Mirëpo tërmeti dy javë më vonë ishte shumë më i madh. Por, shumica e godinave kanë rezistuar sërish. Dëme ka pasur vetëm në mure, por ndërtesat kanë qenë në tërësi të qëndrueshme”, tha Hysenlliu.


I pyetur nga gazetari Sakol Balla se si ka mundësi që disa ndërtesa u shkatërruan tërësisht nga tërmeti dhe disa të tjera jo, Hysenlliu deklaroi se pallatet e shembura ishin të vjetra dhe në shumicën e tyre është ndërhyrë përmes shtesave  apo kateve të para në mënyrë amatore.

“Në godinat e vjetra, ne kemi insistuar që të bëhen kontrolle. Në radhë të parë, dua të them se godina ka jetëgjatësi të veten. Ne kemi kërkuar që godinat e vjetra, në Thumanë kanë qenë disa ndërtesa të vjetra, prandaj rezistenca ka qenë më e paktë. Ndërhyrjet në katet e para apo në shtesat e bëra në mënyrë amatore, kanë ndikuar në jetëgjatësinë e godinave”, u shpreh Hysenlliu.




Skip to toolbar