I dënuar me burg për vrasje, ekstradohet nga SHBA 34-vjeçari me dy emra

AKTUALITET


Shërbimet e Interpolit në bashkëpunim me zyrën e Hetimeve Kriminale në Ambasadën e SHBA-së kanë kryer kapjen dhe ekstradimin drejt Shqipërisë të 34-vjeçarit Arlind Hyseni, alias Shpend Mazari, i lindur në Pukë, i dënuar me 25 vite burg për akuzën e vjedhjes me pasoje vrasje.

Ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e ka dënuar me 25 vite burgim, për veprat penale “Vjedhja, me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Hyseni pasi kishte kryer vrasjen në vitin 2004 kishte arritur të arratisej drejt SHBA-së.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në datën 12.07.2004, rreth orës 03:00, në vendin e quajtur rruga “Besa”, Tiranë. Shtetasi Arlind Hyseni, në bashkëpunim me shtetasin F. M. ka tentuar të kryejë vjedhje me armë në banesën e shtetasit M. S. Pas rezistencës së bërë nga banorët, autorët kanë shtënë me armë zjarri, duke vrarë shtetasin G. S. dhe plagosur rëndë shtetasit M. S. dhe H. S.

Si rezultat i bashkëpunimit me Zyrën e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u bë e mundur kapja dhe ekstradimi drejt Shqipërisë i Hysenit, i cili do të përballet me organet e drejtësisë, si dhe do të vuaj dënimin me burg.



Skip to toolbar