Jak Prenga, 49 vjeç, është personi që është dhunuar dhe më pas marrë peng nga persona ende të paidentifikuar në Kamëz. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:44, në rrugën “London”, ku sipas policisë dy persona të maskuar kanë dhunuar 49-vjeçarin dhe më pas e kanë marrë peng duke e futur me dhunë në një automjet tip “Range Rover” me ngjyrë të bardhë.
Makina më pas është larguar në drejtim të Fushë Krujës, ndërsa automjeti i dyshuar si i autorëve, për herë të fundit është lokalizuar në zonën e njohur si “Ura e Gjolës”.
Në vendin e ngjarjes ka pasur njolla gjaku, që tregojnë se dhuna e ushtruar ndaj pengut ka qenë e rëndë. Policia ka gjetur një këpucë dhe një makinë, që dyshohet të jetë e personit të rrëmbyer. Ngjarja e rëndë është parë fillimisht nga një vajzë e vogël, e cila më pas ka lajmëruar disa persona të rritur, të cilët ndodheshin në krahun tjetër të pallatit, para të cilin ndodhi ngjarja.
Nuk dihen ende personat që e kanë dhunuar dhe më pas rrëmbyet Prengën, por dyshohet se ngjarja ka lidhje me konflikte të mëparshme mes rrëmbyesve dhe pengut.