Informaliteti, Denaj: Nga viti 2021, të gjitha pagesat vetëm online

EKONOMI


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaron se deri në vitin 2021 të gjitha pagesat mes bizneseve do të realizohen në mënyrë elektronike, duke ndikuar në uljen e informalitetit dhe një klimë më miqësore ndaj biznesit.  Këtë deklaratë e bëri teksa fliste për projektin e Fiskalizimit, i nisur gjatë këtij viti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë gjatë prezantimit të rezultateve të vëzhgimit për mjedisin e biznesit 2019 nga Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA).

“Është një projekt që Ministria e Financave e ka nisur këtë vit dhe mendohet se në vitet 2020-2021 të gjithë pagesat do jenë më mënyrë elektronike. Kjo do ta ulte në një shkallë shumë të ndjeshme pjesën e informalitetit dhe do ta bënte sistemin të punonte në vetëvete dhe pa ndërhyrjen e individëve në administratë, të cilët deri diku duhet të jenë më miqësor me biznesin”, u shpreh Ministrja.


Po ashtu, ministrja Denaj është njohur me perceptimin e anëtarëve të FIAA mbi klimën e biznesit në vendin tonë dhe shqetësimet e tyre në të bërit biznes. Ministrja u shpreh se një pjesë e perceptimeve të vëzhgimit janë të drejta, pasi ndikojnë në klimën e biznesit dhe në konkurrencën e ndershme.

Një vend të veçantë në fjalën e saj Ministrja i kushtoi edhe reformës në arsimin profesional dhe zyrat e Punës, të cilat sot kanë një ndërlidhje më të mirë mes tyre në funksion të rritjes së punësimit. Ministrja ftoi investitorët e huaj që të vizitojnë shkollat profesionale dhe zyrat e Punës në zonat ku ata operojnë, në mënyrë që të ketë një bashkëveprim më të mirë mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve.




Skip to toolbar