Shqipëria po përjeton periudhën më të mirë turistike të pas viteve ’90. Të huajt e kanë “pushtuar” atë nga veriu në jug. Në plazhet e Durrësit dëgjon rëndom të flitet polonisht apo çekisht, në malet e Veriut ka gjermanë, spanjollë, anglezë etj.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në korrik 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 1.176.810. Krahasuar me Korrik 2018, ky numër është rritur me 14,5 %.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë përgjatë shtatë muajve të parë të 2019 është 3.313.762, duke u rritur me 12,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Në Korrik 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Kosova ka pasur rritjen më të madhe me 25,5 %, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 14,6 %.
Polakët në fakt ishin të parët që “zbuluan” Shqipërinë, pasi tre-katër vjet më parë ata erdhën përmes agjencisë ITAKA, që parableu dhomat kryesisht ën bregdetin e Durrësit, duke nxitur sipërmarrësit shqiptarë të investonin në shtimin e kapaciteteve. Sipas INSTAT, në 2018-n, Shqipërinë e vizituan 153 mijë polakë, me rritje 34% në raport me një vit më parë. Por, pas një rritjeje të ndjeshme dyshifrore, në vitin e katërt, polakët po shfaqin më pak interes për Shqipërinë. Në korrik, që është kulmi i sezonit, erdhën 37 mijë polakë, nga 43 mijë vitin e mëparshëm.
Maciej Sokalski, koordinator i Shitjeve për Agjencinë “Rego-Bis” në Poloni dhe rezident në Durrës, shprehet për Monitor se në vitin 2018, paketat turistike të vendit tonë u bënë relativisht të shtrenjta. Nëse situata përsëritet edhe këtë vit, tkurrja është e pashmangshme, çka ka nisur të reflektohet në rënien e numrit të turistëve që sjell kjo kompani. Ai nënvizon se nga kontaktet që ka me 500 agjentë në Poloni, të cilët marketojnë paketat e vendeve të ndryshme, Shqipëria tashmë nuk konsiderohet si destinacion ekonomik.
Turistët nga Kosova mbeten të parët
Ndryshe nga viti i kaluar, kur shtetasit nga Kosova shfaqën pakënaqësitë e tyre në Shqipëri, këtë vit ata janë rikthyer sërish.
Për 7 mujorin, hynë në Shqipëri më shumë se 1 milionë shtetas nga Kosova, me rritje prej gati 14%. Turistët nga Kosova përbënin 34% të totalit të hyrjeve të vend.
Të dytët janë maqedonasit, në 372 mijë për 7 mujorin, me një rritje të lehtë prej 3.4%. më pas vazhdojnë grekët (311 mijë), italianët (159 mijë), anglezët (223 mijë), malazezët (216 mijë), polakët (76 mijë).
Edhe shqiptarët “arratisen” jashtë
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit Korrik 2019, janë 1.463.133 duke shënuar një rritje me 1,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Korrik 2019, janë 516.173. Krahasuar me Korrik 2018, ky numër është rritur 10,9 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Korrik 2019, janë 946.960. Krahasuar me Korrik 2018, ky numër është ulur 2,4 %.
Numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga territori i vendit tonë përgjatë shtatë muajve të parë të 2019, është 3.172.613 duke u rritur 10,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.(monitor)