Në Podogoricë të Malit të Zi, është zhvilluar takimi i vendeve të Ballkanit që janë pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë. Pjesëmarrës në këtë aktivitet, ka qenë dhe presidenti i International Police Association (IPA) për Shqipërinë, Skënder Doda, që mban gjithashtu dhe postin e Drejtorit të Menaxhimit në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Sipas një komunikate për shtyp shpërndarë nga Policia e Shtetit në lidhje me këtë takim, mësohet se gjatë konferencës, vendet anëtare të Ballkanit, përfshi Greqinë dhe Serbinë, kanë bërë thirrje që në kongresin e muajit tetor, Shqipëria të pranohet si vend kandidat.
“Të gjithë përfaqësuesit e Mali të Zi, Serbisë, Kroacisë, Bosnje Hercegovinës, Sllovenisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Qipros greke, Greqisë e Rumanisë u shprehen njëzëri që në Kongresin Botëror të IPA-as në Dubrovnik (tetor 2019) të futet në rendin e ditës pranimi i IPA Albania në statusin kandidat”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Më tej, në këtë njoftim, thuhet se drejtori i IPA Albania, Skënder Doda, u ka kërkuar vendeve anëtare të IPA-s që të mbështesin Shqipërinë për t`u bërë pjesë e organizatës botërore të policisë. “Gjatë zhvillimit të takimit të IPA-as të vendeve ballkanike të Adriatikut në Podgoricë të Malit të Zi, Presidenti i IPA-as / Seksioni Albania është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Malit të Zi dr. Veselin Veljovič dhe me presidentin e IPA Croatia z. Miljenko Vidak, me të cilët ka biseduar dhe u ka kërkuar mbështetjen e tyre për pranimin e IPA ALBANIA në familjen e madhe të IPA-as Botërore”, përfundon njoftimi.