Grenell në Beograd: Ndaleni fushatën kundër pavarësisë së Kosovës

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha të premten në Beograd që nëse palët vendosin se nuk kanë për çfarë të bisedojnë, atëherë Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, duke ritheksuar qëndrimin e shprehur edhe gjatë vizitës në Prishtinë se Kosova duhet te heqë tarifat ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Kur isha në Kosovë dje e bëra shumë të qartë para çdo udhëheqësi që takova, si edhe para medieve e komunitetit të biznesit se tarifat duhet të hiqen. Tarifat janë të papranueshme, dhe e bëj të njëjtën kërkesë këtu, që fushata për tërheqjen e njohjeve të Kosovës duhet të ndalet. Prandaj mendoj se ajo çka do të bëjmë është të vazhdojmë të lëvizim në këtë drejtim të përqendrimit në ekonomi”, tha ambasadori Grenell.

“E ndjej që ka energji meqë po bisedojmë për të arritur përparime të caktuara. Nëse palët vendosin që nuk duan të bisedojnë, atëherë do të tërhiqemi”, tha ambasadori Grenell.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se nuk mund të pranojë barazimin e heqjes së tarifave dhe ndërprerjes së fushatës për tërheqjen e njohjeve.

“Ne kemi qëndrim tjetër për njohjen e Kosovës nga Amerika dhe Prishtina. Ata duan që pavarësia e saj të njihet e në nuk duam. Sa u përket tarifave, ato janë vënë pas asnjë arsye”, tha presidenti serb sipas të cilit Serbia vetëm brenda një viti ka humbur 435 milionë euro për shkak të tarifave.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Ambasadori Grenell tha se nuk i takon atij të vendosë nëse është apo nuk është e drejtë që këto gjëra të krahasohen, por ai përpiqet të përqendrohet në një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.

“Unë jam këtu për të nxitur të dyja palët për bashkëpunim ekonomik, po ua lë politikën juve”, tha ambasadori Grenell.

Në këtë kuadër gjatë takimit është diskutuar edhe për vendosjen e trafikut hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai po qëndron në rajon pak ditë pasi bashkë më këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, ndërmjetësoi një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, në një përpjekje për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve./VOA/

Grenell në Beograd: Trump s`ka kohë, Serbia e Kosova marrëveshje sa më parë

I dërguari i Posaçëm i Presidentit të SHBA Donald Trump për ndërmjetësimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, Richard Grenell deklaroi nga Beogradi se kërkon arritjen e një marrëveshje të shpejtë mes dy vendeve. Grenell tha se Trump “nuk dëshiron të humbasë kohën dhe të lejojë që zgjidhja të zgjasë shumë”. “Presidenti Trump nuk dëshiron të humbasë kohën dhe nuk do të lejojë që zgjidhja të zgjasë shumë, nëse nuk ka asnjë përparim. Ne nuk duam të humbim kohë ose të imponojmë zgjidhje. Shpresoj që Serbia dhe Kosova do ta shfrytëzojnë mundësinë që kanë tani”, është shprehur Grenell për gazetën serbe “Blic”.  

Më tej, ai u shpreh se të dyja vendet duhet të bëjnë hapa të shpejtë për gjetjen e marrëveshjes. Grenell konfirmoi se së pari Kosova duhet të anulojë taksën ndaj mallrave serbe, ndërsa do t`i kërkojë Serbisë të ndalojë lobimin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Ka një hapësirë të vogël dhe SHBA do të përqëndrohet në ecjen përpara. Le të hiqen tarifat, por unë gjithashtu do të insistoj që Serbia të ndalojë lobimin. Këto duhet të ndodhin në të njëjtën kohë. Unë mendoj se jemi afër për ta bërë atë realitet. Njerëzit duan të ecin përpara, të shohin përpara dhe të kapërcejnë të kaluarën”, është shprehur Grenell.

Edhe gjatë vizitës në Kosovë, Ambasadori Richard Grenell i bëri thirrje politikës të anulojë taksën ndaj mallrave serbe, duke nxitur dialogun me Serbinë. Vizita e Grenell në Prishtinë dhe Beograd vjen vetëm pak ditë, pasi ai ndërmjetësoi nënshkrimin e një marrëveshje mes dy vendeve për nisjen e fluturimeve direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Richard Grenell, që mban postin e Ambasadorit të SHBA në Gjermani, është caktuar nga Donald Trump si i dërguari i posaçëm për ndërmjetësimin e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës.

Palmer tërhiqet nga vizita në Beograd

Mathew Palmer, i dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, nuk do të marrë pjesë në Forumin e 9-të të Sigurisë në Beograd. Palmer ka anuluar pjesëmarrjen e tij një ditë para mbajtjes së forumin, për arsye të panjohura.

SHBA emëroi Palmer si të dërguarin e posaçëm të Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor duke dhënë një sinjal se roli i saj në rajon do të jetë më aktiv dhe vendimmarrës. Gjithashtu disa javë më vonë, SHBA emëroi edhe të dërguarin e saj për dialogun Serbi-Kosovë, Richard Grenell, i cili do të luaj rolin e ndërmjetësuesit që më parë është mbajtur vetëm nga BE.

Pas marrjes së detyrës së re, Grenell zhvilloi një takim me presidentin Vuçiç, ku sipas mediave serbe, raportohet që t’i këtë kërkuar Serbisë në mënyrë të prerë të njoh pavarësinë e Kosovës.

Crvena Zvezda ndalohet të hyjë në Kosovë, për Kupën e Serbisë

Ekipi i Crvena Zvezdës, u ndalua të futet në territorin e Kosovës në pikën kufitare të Jarinjës. Klubi nga Serbia udhëtoi drejt pikës kufitare të mërkurën, pasi kishte planifikuar të zhvillonte një ndeshje me klubin e Trepçës serbe, e cila ishte e vlefshme për Kupën e Serbisë. Megjithatë, Federata e Futbollit të Kosovës nuk pranoi që kjo ndeshje të luhej, pasi sipas saj, të drejtën për të organizuar gara sportive në territorin e Kosovës e ka vetëm FFK.

Në këtë mënyrë, Federata Kosovare e Futbollit kërkoi nga Policia që të ndalonte futbollistët serbë që të futeshin në territorin e Kosovës, së bashku me tifozët që i shoqëronin. Ndërkohë, klubi serb reagoi duke u shprehur se për ndeshjen e të mërkurës, ata morën rekomandim nga FIFA.

“Ne erdhëm për të luajtur futboll, të luajmë futboll dhe të bëjmë sport, por kjo na u mohua. Përkundër faktit se e kishim rekomandimin nga FIFA për ta zhvilluar ndeshjen ndaj Trepçës në Mitrovicë, institucionet e Kosovës e injoruan këtë këshillë. Kur iu afruam pikës kufitare për të kaluar andej, Policia e Kosovës arriti dhe na tha se e kishim të ndalur të futeshim në territorin e Kosovës”, shprehej ndër të tjera klubi i Crvena Zvezdës.

Ndërkohë, së bashku me autobusin e futbollistëve, të pranishëm në pikën kufitare të Jarinjës ishin dhe shumë tifozë nga Serbia, të cilët do të mbështesnin lojtarët e tyre në takimin kundër Trepçës. Tifozët, të cilët u ndaluan të hynin në territorin e Kosovës, provokuan me thirrje anti-shqiptare, por nuk raportohet për incidente. Ndërsa në pikën kufitare ishin të pranishëm drejtues të klubit serb dhe kreu i Listës Serbe në Kosovë, Goran Rakiç. Ndeshja mes Crvena Zvezdës do të luhet të enjten, por në Serbi.

IPA, Serbia e Greqia mbështesin Shqipërinë: Në tetor të bëhet kandidate

Në Podogoricë të Malit të Zi, është zhvilluar takimi i vendeve të Ballkanit që janë pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë. Pjesëmarrës në këtë aktivitet, ka qenë dhe presidenti i International Police Association (IPA) për Shqipërinë, Skënder Doda, që mban gjithashtu dhe postin e Drejtorit të Menaxhimit në Drejtorinë e Policisë së  Shtetit. Sipas një komunikate për shtyp shpërndarë nga Policia e Shtetit në lidhje me këtë takim, mësohet se gjatë konferencës, vendet anëtare të Ballkanit, përfshi Greqinë dhe Serbinë, kanë bërë thirrje që në kongresin e muajit tetor, Shqipëria të pranohet si vend kandidat.

“Të gjithë përfaqësuesit e Mali të Zi, Serbisë, Kroacisë, Bosnje Hercegovinës, Sllovenisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Qipros greke, Greqisë e Rumanisë u shprehen njëzëri që në Kongresin Botëror të IPA-as në Dubrovnik (tetor 2019) të futet në rendin e ditës pranimi i IPA Albania në statusin kandidat”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Më tej, në këtë njoftim, thuhet se drejtori i IPA Albania, Skënder Doda, u ka kërkuar vendeve anëtare të IPA-s që të mbështesin Shqipërinë për t`u bërë pjesë e organizatës botërore të policisë. “Gjatë zhvillimit të takimit të IPA-as të vendeve ballkanike të Adriatikut në Podgoricë të Malit të Zi, Presidenti i IPA-as / Seksioni Albania është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Malit të Zi dr. Veselin Veljovič dhe me presidentin e IPA Croatia z. Miljenko Vidak, me të cilët ka biseduar dhe u ka kërkuar mbështetjen e tyre për pranimin e IPA ALBANIA në familjen e madhe të IPA-as Botërore”, përfundon njoftimi.

Skandali, Serbia po paguan shtetet që të tërheqin njohjen e Kosovës

Mungesa e kultivimit të marrëdhënieve me disa nga vendet që e kanë njohur Kosovën, konsiderohet si një prej faktorëve që po çon në tërheqjen e këtyre njohjeve, thonë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare. Sipas tyre, Kosova duke lënë anash kultivimin e raporteve dhe marrëdhënieve me këto vende, u ka lënë hapësirë veprimi diplomacive nga Rusia dhe Serbia që të bindin disa prej këtyre shteteve që të tërheqin njohjet.

Së fundmi, Ministria e Jashtme e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Serbisë dhe kabinetin e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq për blerjen e tërheqjes së njohjeve të Kosovës.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar që Qeveria serbe ka instaluar korrupsionin dhe ryshfetin si mjete diplomatike për të pranuar dokumente të falsifikuara që nuk shërbejnë asgjë, por vetëm për përshkallëzimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës. I përfshirë në aferën e siç thuhet ryshfetit për tërheqjen e njohjeve, përmendet këshilltari i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vladimir Cizelj, i cili thuhet se “është i njohur për të kaluarën e tij kriminale dhe lidhjet me rrjetet e krimit të organizuara jashtë Evropës”.

Origjina e fushatës së Serbisë për t’i pakësuar njohjet ndërkombëtare të Kosovës, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërlidhet edhe me stagnimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Profesori Gëzim Visoka, i cili është ligjërues në Dublin City University në Irlandë, thotë se Serbia që nga momenti kur e parë se Kosova nuk është në gjendje ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe në versionin e Beogradit dhe që kur ishte bindur se as trysnia ndërkombëtare mbi Kosovën nuk po funksiononte më, filloi të hapë një front diplomatik kundër shtetit të Kosovës.

“Në esencë, çnjohja e Kosovës ka të bëjë më fuqizimin e pozicionit negociues të Serbisë dhe zgjerimin e mundësive diplomatike në dëm të Kosovës. Pra, sa më shumë që Kosova do t’i rezistojë një marrëveshjeje që do t’i përshtatej Serbisë, aq më shumë Serbia do të vazhdojë fushatën agresive kundër njohjes së Kosovës dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Prandaj, Kosova nuk duhet injoruar dhe mohuar çështjen e çnjohjeve”, thotë Visoka.

“Në të kundërtën, duhet ta kushtëzojë heqjen e taksës në shkëmbim të ndërprerjes dhe kthimit të çnjohjeje, si dhe largimin e të gjithave barrierave jotarifore që Serbia ia ka vënë Kosovës në dekadën e fundit”, tha ai.

Kurse, zëvendësministri i Jashtëm në dorëheqje në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha, konsideron se mosarritja e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndikuar që shtete të caktuar ta vënë në dyshim njohjen e Kosovës. Ai thotë se Serbia po ndikon të shtete të caktuar duke prezantuar jo drejt qëllimin e dialogut.

“Unë mendoj se rrëshqitja e bisedimeve në temat që kanë rrëshqitur, ka krijuar një paqartësi në arenën ndërkombëtare, sidomos në disa shtete që janë jashtë zonave të Evropës. Serbia ka qenë aktive, në kuptimin kinse bisedohet për statusin e Kosovës dhe jo normalizim të raporteve”, tha Berisha.

Por, përveç efekteve të “ryshfetit”, siç e cilëson Qeveria e Kosovës, theksohen edhe dobësi tjera përbrenda diplomacisë kosovare që kanë ndihmuar apo ndikuar te disa vende që të marrin në konsideratë apo edhe të tërheqin njohjen e Kosovës si shtet.

Profesori Gëzim Visoka, tha për Radion Evropa e Lirë se beteja për njohje diplomatike është një fushë që ndërlidhë faktorë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë. Sipas tij, janë disa faktorë që janë duke mundësuar rritjen e çnjohjes së Kosovës.

“Faktori i parë ka të bëjë me lënien anash të fushatës për njohjen nga dy qeveritë e kaluara të Kosovës. Përqendrimi është vënë në disa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe kultivimi dhe zgjerimi i marrëdhënieve bilaterale me vendet që na kanë njohur, disi është lënë anash. Për më shumë, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve edhe mungesa e qëndrimeve unike për interesat e brendshme dhe jashtme të Kosovës, ka ndikuar në zbehjen e prezencës ndërkombëtare të Kosovës”, tha Visoka.

Faktori i dytë, sipas tij, ka të bëjë me zbehjen e interesimit dhe fuqisë ndikuese të vendeve, që në terminologjinë politike në Prishtinë, njihen edhe si shtete mike të Kosovës.

“Kosova më nuk është prioritet ndërkombëtar dhe miqve të Kosovës ju ka rënë ndikimi në disa rajone të botës, nga ku çnjohjet janë duke ardhur. Faktori i tretë, i ndërlidhur me këtë të fundit, ka të bëjë me fuqizimin e ndikimit rus, dhe si pasojë, edhe të Serbisë, ku janë duke përdorur diplomacinë personale, ekonomike dhe ushtarake për të shtyrë përpara çnjohjen e Kosovës”, tha Visoka.

Sipas tij, është edhe një faktor tjetër që ka të bëjë edhe me gjendjen në vendet që e kanë njohur Kosovën dhe si pasojë e ndërrimit të qeverive dhe ndryshimit të interesave të tyre ndërkombëtare, këto vende pa hezitim e kanë ndryshuar qëndrimin për Kosovën.

Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm (në dorëheqje), Anton Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se autoritet në Serbi janë duke e shfrytëzuar gjendjen politike në Kosovës dhe mungesën e një qeverie aktive për të lobuar kundër njohjeve të Kosovës.

“Ne jemi qeveri në dorëheqje edhe ashtu nuk ka pasur ndonjë aktivitet, ndonëse vetë ministri ka qëndruar gjatë në Afrikë, nuk kemi parë ndonjë rezultat dhe presim që sa më parë të mbahen zgjedhjet dhe qeveria e re të jetë aktive, kurse Ministria e Jashtme duhet të kalojë në një fazë ofensive”, tha Berisha.

Zyrtarët në Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk kanë deklaruar se sa është aktualisht numri i shteteve që e kanë njohur deri tash Kosovën shtet. Por, në ueb faqen ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, figurojnë 116 shtete të cilat thuhet se kanë njohur Kosovën./REL/

SHBA i tërheq veshin, Serbia zbut tonet: Koha të pajtohemi me shqiptarët

Mesazhi që SHBA dhe Gjermania i dha Aleksandër Vuçiç pak ditë më parë për të hapur negociatat me Kosovën dhe ultimatumin se nuk do të ketë ndryshime kufijsh, duket se e ka kuptuar e gjithë klasa politike serbe.

Kjo u vu re në tonin e zbutur të kryeministres serbe, Ana Brnabiç, e cila i ka habitur të gjithë me deklaratën e saj ku tha se “ka ardhur koha që serbet dhe shqiptarët të pajtohen.”. Kujtomë se pak kohë më parë Brnabiç i quajti shqiptarët  “të zbritur nga mali që nuk kuptonin’ ndërsa nuk i ka kursyes asnjëherë ofendimet ndaj tyre. Kjo situatë të kujton edhe një herë se kur të mëdhenjtë falsin, të vegjlit dëgjojnë.

“Serbia mbështet pajtimin me shqiptarët, por nga ana tjetër, ajo nuk ka bashkëbisedues. Ne nuk po mundohemi të krijojmë kufij etnikisht të pastër, e kundërta. Aleksandar Vuçiç, kur ishte në krye të qeverisë, e ngriti çështjen e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve. Ky është një moment historik dhe një shans i hapur” tha Brnabiç gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev.

Nga ana tjetër edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, tha se ka ardhur koha për të arritur një pajtim historik midis serbëve dhe shqiptarëve.

“Maqedonasit dhe grekët janë pajtuar, bullgarët dhe ne jemi pajtuar. Të tjerët duhet ta bëjnë këtë. Ne jemi europianë dhe duhet ta dëshmojmë këtë”, tha Zaev.

SHBA-BE, Kosovës dhe Serbisë: Hiqni pengesat, dialogoni

Kuinti i ambasadorëve i ka kërkuar Kosovës heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Me anë të një komunikate të përbashkët, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë kërkuar Kosovës që të pezullojë taksën ndaj Serbisë, ndërsa Beogradit i kërkojnë që të ndalojë fushatë kundër njohjes së Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”.

Kuinti i ambasadave në Kosovë dhe Beograd, shprehen se të dy vendet duhet të rifillojnë sa më shpejt dialogun mes tyre nën udhëheqjen e BE. “Status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme. Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, shkruhet ndër të tjera në deklaratën e kuintit të ambasadave të vendeve perëndimore, drejtuar Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Aktualisht Kosova është pa qeveri, pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqjen një muaj më parë pasi u thirr në Hagë për të dëshmuar para Gjykatës Speciale për krimet e luftës. Haradinaj e justifikoi dorëheqjen e tij si vullnet për t`u paraqitur në Hagë si qytetar i lirë i Kosovës dhe jo si kryeministër i saj. Megjithatë, një nga shkaqet e dorëheqjes ka qenë dhe presioni ndërkombëtar, që i ka kërkuar vazhdimisht Haradinajt heqjen e taksës prej 100% për mallrat serbe, dhe rifillimin e dialogut me Serbinë.

Këtë gjë e la të kuptohet vetë ish-kreu i ekzekutivit në Kosovë kur deklaroi në një emision televizvi se “ishte gati të jepte dorëheqjen si Kryeministër, por taksën ndaj Serbisë nuk do e hiqte”. Kjo deklaratë u bë më pak se 24 orë para se Haradinaj të merrte vendimin për të dhënë dorëheqjen si kryeministër.

Rusia modernizon ushtrinë serbe, por Vuçiç nuk pranon të tregoj si i solli

Në Serbi mbërriti kontigjenti i parë i ndihmave ushtarake nga Moska me tanke dhe mjete të blinduara, të cilat Rumania nuk i lejoi javën e kaluar të kalonin tranzit në territorin e saj për shkak të sanksioneve të BE-së ndaj Moskës. Presidenti serb Aleksander Vuçiç falenderoi sot homologun rus Vladimir Putrin për modernizimin e ushtrisë së vendit të tij, por nuk pranoi të tregonte se si kishin mbërritur pajisjet ushtarake.

“Do ta përsëris për ata që nuk e dinë: armët janë dhuratë, mjete plotësisht moderne nga Rusia. Ne nuk kemi paguar për to. Rusia ka paguar për modernizimin e forcave dhe unë i falenderoj. Kjo e shton dukshëm aftësinë tonë ushtarake. Për ne është e rëndësishme që respektuam ligjet ndërkombëtare dhe arritëm të sillnim pajisjet ushtarake në territorin tonë. Si dhe në çfarë mënyre e bëmë, është puna jonë”. – tha Vuçiç

Ndihmat ushtarake nga Rusia për Serbinë kanë shkaktuar shqetësime në Perëndim se mund të rrezikojnë paqen e brishtë në Ballkan.

Franca: Serbia, partneri ynë i parë në rajon

Serbia është partneri i parë në rajon për Francën”. Këtë tha të paktën ambasadori i Francës në Serbi, Frederic Mondoloni. Duke folur për vizitën që presidenti francez, Emmanuel Macron do të zhvillojë më 15 dhe 16 korrik në Serbi, Mondoloni tha se kjo është një shenjë e qartë interesimi i Francës ndaj Serbisë.

Ambasadori gjithashtu njoftoi edhe hapjen e një zyrë rajonale të Francës në Beograd për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet dhe lidhjet europiane të Serbisë

Vizita e Macron, tregon një interes të ri të Francës për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe dëshirën që marrëdhënies dypalëshe me Serbinë, sigurisht partnerin tonë të parë në rajon, t’i japim një shtysë të re. Hapja e zyrës rajonale të Francës në Beograd, do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve evropiane dhe për të siguruar tranzicionin drejt zhvillimit të qëndrueshëm“. – tha Mondoloni.

Franca prej kohësh kërkon rikthimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, por duket se palët nuk ishin tërhequr nga pozicionet e tyre. Serbia kërkon heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, Kosova kërkon njohjen e saj nga ana e Serbisë.

Skip to toolbar