Irani i përgjigjet Trump: Ngushtica është iraniane dhe do mbetet e tillë

BOTA


Presidenti amerikan deklaroi dje se së shpejti do shpallte Ngushticën e Hormuzit si territor të SHBA-ve, duke ndezur fortë ‘zjarrin’ gjeopolitik në Lindjen e Mesme.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Teheranit zyrtar.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Ngushticën e Hormuzit, duke kundërshtuar pretendimin se SHBA synon ta shpallë atë territor amerikan.

Në një reagim në rrjetin social X, Gharibabadi tha se statusi i ngushticës nuk mund të ndryshohet përmes deklaratave politike, urdhrave apo pranisë ushtarake.

Sipas tij, SHBA ka pësuar humbje strategjike dhe duhet të pranojë situatën e krijuar.

“Ngushtica e Hormuzit ishte iraniane, është iraniane dhe do të mbetet iraniane”, deklaroi zyrtari iranian, duke shtuar se rihapja e saj do të bëhet vetëm me vendim të Teheranit.

Gharibabadi paralajmëroi gjithashtu se Irani do të vijojë bllokadën për sa kohë që Uashingtoni, sipas tij, nuk pranon atë që ai e cilësoi si disfatë.

Nga ana tjetër, Donald Trump ka deklaruar se SHBA do të marrë masa për ta shpallur Ngushticën e Hormuzit “territor amerikan”. Presidenti amerikan ka pretenduar gjithashtu se Uashingtoni ka kontroll të plotë mbi ngushticën, deklaratë që Teherani e ka kundërshtuar.

Përplasja e deklaratave vjen në një kohë kur Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për transportin ndërkombëtar të energjisë dhe një prej zonave më të ndjeshme të tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit.



Skip to toolbar