Ish-shefi i policisë në Dibër rrihet para gjykatës, në hetim dy persona që ishin gjobitur nga Robert Aga

AKTUALITET


Bekim Agolli dhe Rubin Murrja, janë vënë nën hetim penal pasi dyshohet se kanë plagosur me dashje ish-shefin e Komisariatit në Dibër, Robert Agën. Goditja dyshohet se ka ndodhru për shkak të detyrës që ka mbajtur Robert Aga, pasi kur ishte shef i Qarkullimit kishte gjobitur Bekim Agollin e Rubin Murrjan.

‘Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, për  shtetasit B.A., 30 vjeç; R.M., 40 vjeç, banues në Dibër.


Këta shtetas me datë 17.11.2022, rreth orës 12.⁰⁰,  në qytetin e Peshkopisë , për motive të dobëta kanë goditur me grusht shtetasin R.A., 59 vjeç, banues në Tiranë.

Ngjarja e pazakontë është regjistruar të enjten në Peshkopi. Teksa pritej të zhvillohej seanca e radhës për të pandehurit e dosjes 184 të cilët akuzohen për tjetërsim të votës në zgjedhjet e pjesshme lokale në Bashkine Dibër në vitin 2016, njëri prej të pandehurve ish shefi komisariatit Robert Aga nuk është paraqitur.

Ndërkohë mësohet se në sallë ka hyrë i pandehuri Hasan Hoti ish administrator i Njësisë Lurë, dhe ka deklaruar se ishte vonuar në seancë për shkak se i ishte dashur të transportonte në spital Robert Agën pasi ishte dhunuar në hyrje të gjykatës nga disa persona.

Deklarata e Hotit ka bërë që gjyqtarja të shtyjë sërisht zhvillimin e seancës. Nuk dihet nëse kjo është një lojë e Agës dhe Hotit, pasi Policia e Dibrës thotë se nuk ka një denoncim nga ish kryepolici Robert Aga. Megjithatë, Aga ka qëndruar në urgjencën e spitalit përreth 3 orë, nga ora 12:00 deri në orën 15:00.

Kush është Robert Aga?

Ai është një nga personazhet kryesor të përgjimeve të BILD dhe ka qenë një prej drejtuesve të policisë që në dhjetor të vitit 2017, ishte pjesë e një raporti që Shërbimi Informativ i dërgoi Prokurorisë për Krimet e Rënda, por edhe ministrisë së Brendshme, për përfshirjen e policisë në kultivimin e kanabisit.

Në një prej përgjimeve, Aga i thotë Saimir Tahirit: “Unë jam ushtari jot i bindur”, ndërkohë që në raportin e SHISH emri i tij, ishte krah Renato Avdylajt, Gjergji Kohilës, Alban Hoxhës, e Jaeld Celës.

Robert Aga, që në audio-përgjime flet me Damian Gjiknurin, Ulsi Manjën e Saimir Tahirin për të marrë një pozicion më të mirë pune pas ndihmës që i ka dhënë PS-së në zgjedhjet vendore, deri në momentin e zgjedhjeve, ishte Drejtori i Policisë Dibër. Më pas, duke kërkuar favore nga kryeministri Rama dhe ministrat Gjiknuri, Tahiri dhe deputetët Manja e Qefalia, Aga u emërua shefi i Qarkullimit Rrugor në Kukës., e jo në Dibër, megjithatë asnjëherë ai nuk u hetua.

Vëllai i tij, Pajtim Aga është arrestuar si pjesë e një rrjeti që trafikonte drogë. Me statusin e një biznesmeni dhe jo të një trafikanti, i vëllai njihej në Dibër edhe si pronar i një televizioni kabllor që shpërndan sinjal të disa stacioneve në vendlindje. Në shtator 2016, Pajtim Aga u arrestua nga Policia e Lezhës pasi iu gjetën 320 gramë kokainë.




Skip to toolbar