Ish-shefi i Prokurorisë, Petrit Fusha çohet në gjyq për fshehje pasurie

AKTUALITET


Prokuroria e Durrësit njoftoi të hënën se përfundoi hetimet ndaj ish-shefit të Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha dhe e dërgoi çështjen për shqyrtim në gjykatë. Fusha akuzohet për veprën penale të “refuzimit për deklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive..”, i parashikuar nga neni 257/a paragrafi 2 i Kodit Penal dhe nëse shpallet fajtor, rrezikon një dënim nga gjobë deri në 3 vjet burg.

Hetimet për Fushën nisën në vitin 2019, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kërkoi hetim lidhur me faktet e dala gjatë procesit të vetingut. Çështja u kalua në Prokurorinë e Durrësit në vitin 2020, ndërsa vendimi për marrjen të pandehur u njoftua pas publikimit të një investigimi të BIRN mbi dënimin e vëllait të ish-prokurorit nga gjykata spanjolle me akuza të trafikut të narkotikëve dhe mungesën e hetimit të pasurive të krijuara në Shqipëri nga ky aktivitet.


Petrit Fusha pati një karrierë të shtrirë në tre dekada si prokuror dhe drejtues i Prokurorisë së Tiranës përpara se të jepte dorëheqjen në vitin 2019, gjatë procesit të vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se dorëheqja e Fushës u bë pasi atij i kishte kaluar barra e provës. Nga raporti i DSIK-së rezultoi se Fusha nuk e kishte deklaruan përfshirjen në veprimtari të krimit të organizuar të vëllait.

Fusha drejton sot studion ligjore “Fusha & Partners” me aktivitet avokatinë dhe konsulencën, por edhe hotelerinë, turizmin dhe administrimin e pronave të familjes.




Skip to toolbar