“Ka zëra mes mjekëve të larguar për t’u kthyer, por…”, Ceno: Pandemia zgjoi ndjesinë patriotike, largoi pakënaqësitë

Më të fundit


Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, Marsela Ceno, në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, foli për largimin e mjekëve në Gjermani dhe mundësisë për tu rikthyer në vendlindje.

Ajo u shpreh se ka zëra mes mjekëve të larguar për t’u kthyer, por hezitimi dhe përgatitja emocionale nuk është ende në atë stad të lartë për ta bërë marrjen e vendimit sa më të thjeshtë që edhe hapi të bëhet i sigurt në drejtim të kthimit.


Ceno u ndal te periudha e pandemisë, ku tha se zgjoi ndjenjën patriotike dhe largoi pakënaqësitë. Ndër të tjera ajo u pyet nëse do të rikthehet në Shqipëri, ku u përgjigj duke thënë se i takon asaj pjesë të mjekëve që janë larguar nga Shqipëria drejt Gjermanisë, që e ka mbajtur më fort raportin me Shqipërinë

Pjesë nga intervista:

Ceno: Ende nuk është bërë realitet që mjekët e larguar në dekadën e fundit në drejtim të Gjermanisë, apo Europës, e SHBA të kenë marrë vendimin për t’u kthyer përfundimisht në Shqipëri. Ka zëra brenda komunitetit të mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në Gjermani, për t’u kthyer në drejtim të Shqipërisë, por hezitimi dhe përgatitja emocionale nuk është ende në atë stad të lartë për ta bërë marrjen e vendimit sa më të thjeshtë që edhe hapi të bëhet i sigurt në drejtim të kthimit. Unë ndaj të njëjtën mendim si kryeministri, shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë jashtë Shqipërisë në këtë stad të zhvillimi, emocional, shoqëror apo të zhvillimit profesional si në ditët e sotme.

Nazarko: Jemi në moment ndryshe dhe nuk është politizim të themi që ndërkombëtarisht Shqipëria ka arritur kulmin e dukshmërisë së saj dhe të ndikimit të saj ndërkombëtar. Të jesh në Këshill të Sigurimit për dy vjet, të kryesosh OSBE, të organizosh aktivitete me dukshmëri mediatike ndërkombëtare siç ka bërë këto vitet e fundit Shqipëria, është diçka e jashtëzakonshme. Ky është një akumulim energjie kombëtare që duhet përkthyer në rezultate konkrete në emancipimin apo avancimin e Kombit shqiptar kudo që është ai. Si arrihet kjo? Ti nuk mund të ndalosh dot ato flukse zhvendosje të popullsisë që kanë karakter të përbotshëm. Shqiptarët nuk mund të jenë më pak imunë ndaj dukurive, por ama duhen gjetur rrugë që këto pjesë të popullsisë që janë kaq vitale, të suksesshme, të rikthehen, të jenë të dobishëm për vendin e origjinës. Në këtë vend të bekuar, a ka motive jete për të jetuar numerikisht kaq shumë sa thotë Meta që ka gjetur një zgjidhje interesante për të ngjarë tërheqës elektoralisht? Apo jemi fatalisht të destinuar që në 2030 gjysma e popullsisë të jetë me të ardhur nga Afrika apo vende të tjera. Këto janë pikëpyetje që duhet t’i përgjigjemi strategjikisht dhe duhet të zgjedhim modelet më të mira të integrimit të diasporës. Modeli hebre është më i miri, por do duhet një diskutim rreth këtyre dilemave.

E mendon rikthimin ?

Ceno: Jam duke i menduar të gjitha opsionet. Të vijimit të ushtrimit të profesionit dhe të jetuarit në Gjermani, apo edhe kthimit të pjesshëm në Shqipëri. Unë kam marrë pasaportën gjermane, dhe po aplikoj për të rimarrë pasaportën shqiptare. Ligji gjerman tani na lejon të mbajmë dy pasaporta. Është dicka që te secili prej nesh ekziston lidhje me familjen, me Atdheun. I takoj asaj pjesë të mjekëve që janë larguar nga Shqipëria drejt Gjermanisë, që e ka mbajtur më fort raportin me Shqipërinë. Kemi patur një mbështetje emocionale shumë të fortë që na lidhi gjatë kohës së pandemisë. U hoq hezitimi që kishim për të hedhur vëmendjen drejt popullsisë shqiptare dhe sistemit shëndetësor shqiptar. Deri në kohën e pandemisë ne nuk shihnim mbrapa, por në kohën e pandemisë, ishte ajo fryma jonë humanitare që na bëri të ndërgjegjësohemi që vertet ne jemi larguar nga Shqipëria, por kur vjen një situatë e tillë që ka një emergjencë mjekësore, vëmendja jonë u drejtua në mënyrë të vetëdijshme apo jo në drejtim të Shqipërisë. Pandemia ishte momenti që jo vetëm te unë por edhe te shumë kolegë të mi zgjoi ndjesinë patriotike dhe lindi brenda nesh pyetjen që a do ishte e mundur apo me vlerë që të kthehemi në Shqipëri, për t’iu gjetur pranë jo vetëm prindërve tanë por edhe pacientëve shqiptarë. Pra, pandemia shkriu atë pakënaqësinë që ne kishim akumuluar në drejtim të Shqipërisë që na detyroi edhe të largoheshim dhe pamë që u krijuan mundësi se si ne të japim kontributin tonë. /abcnews.al




Skip to toolbar