Kajmaku “dhëmb për dhëmb” me PD, tregon hyrje-daljet në Greqi

AKTUALITET


Kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, edhe pse përballë akuzave më të forta nga PD sesa Valdrin Pjetri në Shkodër, ai ka vendosur të përballet me këto akuza, duke krijuar një mbrojtje të fortë dhe që duket se nuk ka ndërmend të dorëhiqet siç bëri Pjetri, pa thënë fjalën e fundit prokuroria.

Kajmaku ka reaguar sërish pas provave të reja që paraqiti PD për numrin e njëjtë të pasaportës së tij, duke iu përgjigjur akuzave me publikimin e hyrje-daljeve nga Greqia, në një kohë, që sipas të dhënave të paraqitura deri tani nga opozita, rezulton se ai është në kërkim. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i PD, që këmbëngul ende tek emri Jorgo Toto, megjithëse tashmë i mbetet prokurorisë për të verifikuar nëse është i njëjti person, me të njëjtën pasaportë, siç pretendon PD.


Kreu i Bashkisë Vorë ka deklaruar se dokumentet e publikuara nga PD-ja, ku pretendohet se ai ka qenë i arrestuar në Greqi, janë të pavërteta. Ai ka vënë theksin se ka hyrë dhe ka dalë në Greqi, disa herë para se të përzgjidhet si kandidat për Bashki, që vërteton sipas tij faktin se nuk ka qenë kurrë i dënuar, e aq më tepër i arrestuar në Greqi. Për këtë, ai ka publikuar edhe vulat në pasaportën e tij. “Tellalli i PD u mor me mua prapë sot, por s’ka problem se e vërteta vonon, por nuk harron. Unë paskam urdhër arresti në Greqi dhe hykam e dilkam sa herë dua! Ja ku e kam që kam hyrë e kam dalë nga Greqia para se të dilte emri kandidat”, tha Kajmaku në një reagim në rrjetet sociale.

Po ashtu, ai i është përgjigjur edhe pyetjes së Bashës, një ditë më herët, kur ia drejtoi publikisht, duke kërkuar përgjigje nëse Kajmaku ka qenë i arrestuar ndonjëherë në Greqi.

“E vërteta ime do vërtetohet siç e kam thënë, por jo nga limoni i shtrydhur i PD, por nga autoritetet. Unë s’jam arrestuar dhe s’jam dënuar në Greqi, por kam bërë punë me emër tjetër si gjithë shqiptarët. Po të isha në kërkim s’do hyja dhe dilja sipas qejfit! Prandaj le të hyjë Luli dhe le të dali Gaz Bardhi sa të dojë duke i ra fyllit me një vrimë, se rëndësi ka e vërteta. E vërteta është me mua dhe unë jam me të vërtetën! Shumë shpejt do gjejnë një babale tjetër se babale mua s’më bëjnë dot”, shkruan Kajmaku, duke iu përgjigjur Bashës dhe akuzave të PD.

Menjëherë pas tij ka ardhur sërish reagimi i Gaz Bardhit, i cili ka hedhur dyshime se ai nuk mund të hyjë në Greqi si Jorgo Toto. “Jorgo Toto i Vorës po tenton t’i bëjë shqiptarët për budallenj. Tregon pasaportën e Agim Kajmakut, në vend që të tregojë pasaportën e Jorgo Totos, emër me të cilin është arrestuar dhe është në kërkim në Greqi. Si Agim Kajmaku ke hyrë dhe mund të hysh prapë në Greqi! Pyetja është, si Jorgo Toto a hyn dot? Jorgo Toto me foton në TIMS dhe me pasaportën nr. Z 0148497 a je ti?”, shkruan Bardhi, ndërsa i thotë se ti do të shkosh në burg, duke bërë edhe prokurorin edhe gjykatësin.

Jorgo Toto i Vorës po tenton t’i bëjë shqiptarët për budallenj. Tregon pasaportën e Agim Kajmakut, në vend që të tregojë…

Gepostet von Gazment Bardhi am Dienstag, 27. August 2019

Por, duke u bazuar në provat që ka paraqitur PD, nëse Kajmaku do të ishte shpallur fajtor, apo do të ishte në kërkim nga autoritetet greke, identifikimi i tij do të ishte më i lehtë, derisa ka të njëjtin numër pasaporte dhe nuk ka pasur pasaportë false. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u verifikuar nga ana e prokurorisë, e cila mund ta verifikojë lehtësisht pas përgjigjes nga drejtësia helene, nëpërmjet shenjave të gishtave. Nëse rezulton se personi i arrestuar në Greqi është i njëjti me Agim Kajmakun, atëherë ai rrezikon jo vetëm funksionin e kryetarit të bashkisë, por edhe burgun dhe shtimin e akuzave të reja. Megjithatë, duke parë qëndrimin e tij, Kajmaku duket më i bindur se Valdrin Pjetri, i cili nuk e përballoi presionin dhe brenda pak ditëve dha dorëheqjen, pa bërë ende betimin. Madje, për Pjetrin, edhe reagimi i Ramës ishte i shpejtë, ndërsa për Kajmakun, ende ka heshtje nga kampi socialist.




Skip to toolbar