Kajmaku dorëzon shenjat e gishtave, pritet krahasimi me ato greke

AKTUALITET


Kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, ka dorëzuar shenjat e gishtërinjve në policinë shkencore, të cilat janë administruar nga Njësia e Dekriminalizimit dhe Prokuroria e Përgjithshme më datë 3 shtator, pasi posta i ka dorëzuar letrën në adresën e shtëpisë në Prezë, sipas Report TV.

Në lidhje me vonesën e dorëzimit të shenjave të gishtërinjve lindi një përplasje në distancë mes prokurorisë dhe Postës Shqiptare. Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se Kajmakut iu dërgua një kërkesë të dorëzojë gjurmët e gishtërinjve, por shtoi se nuk mbërriti për shkak se shërbimi postar ngatërroi adresë. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Postës Shqiptare e cila hodhi poshtë duke thënë se letra për Agim Kajmakun është dorëzuar në Bashkinë Vorë dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme.  

Gjurmët e gishtave të dorëzuara nga Kajmaku, pritet të krahasohen me ato që do të mbërrijnë nga autoritete greke, ku më herët Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar një letërporosi për të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm dhe të dhënat biometrike të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi. Partia Demokratike deklaron se Jorgo Toto i arrestuar në Greqi dhe Agim Kajmaku janë i njëjti person duke bërë publike për mediat edhe numrin e pasaportës dhe foton e Jorgo Totos, që sipas saj korrespondon me atë të Agim Kajmakut. Vetë kryebashkiaku i Vorës, i ka hedhur poshtë këto akuza duke i cilësuar si sulme politike dhe se ai nuk është dënuar asnjëherë në jetën e tij.

Në lidhje me rastin Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një hetim dhe ka kërkuar më shumë informacion nga autoritetet greke për të bërë krahasimin të dhënave, ndërsa ka marrë nga PD-ja të gjithë dokumentacionin që zotëron. Disa ditë më parë PD akuzoi prokurorinë për zvarritje të hetimit ndaj Agim Kajmakut, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se është në pritje të letërporosisë së dërguar në Greqi.



Skip to toolbar