Kallaku: Vëllezër me Kosovën, pas ndeshjes

AKTUALITET


Sherif Kallaku do të mbajë shiritin e kapitenit të ekipit kombëtar U-21 të martën në përballjen ndaj Kosovës. Në konferencën për shtyp, Kallaku tregoi se ende nuk është në formë optimale pas dëmtimit, por beson se është gati për përballjen ndaj vëllezërve kosovarë. “Kalova një dëmtim njëmujor dhe tani të jem realist nuk mendoj se ndihem në formën time optimale, pasi kam shumë për të dhënë. Gjithsesi ndihem shumë mirë për ta luajtur këtë ndeshje dhe për të bërë një paraqitje të mirë”.

Ndonëse Kosova është më mirë se Shqipëri, të paktën në renditjen e kualifikueseve, Sherif Kallaku shprehet se kuqezinjtë janë më mirë në cilësi. Sipas tij, skuadra nuk duhet të jetë në presion dhe ta shohi si ndeshje të radhës. “Siç e tha edhe profesori, ata kanë më shumë pikë se ne. Dua të theksoj se kualiteti tek ne është pak më i madh se tek ata. Kemi punuar mirë në stërvitje dhe do ta përballojmë këtë ndeshje. Duhet ta shikojmë thjesht si një ndeshje të radhës, që duhet të marrim tre pikët. Për ne është detyrim. Të gjithë, të 11 lojtarët, jemi lider. Nuk është se jam vetëm unë lider”.

Për Kallakun, ndeshja ndaj Kosovës mund të quhet vëllazërore, por rëndësia e tre pikëve e bën atë të mos jetë e tillë. “Normalisht mund të quhet ndeshje vëllazërore, por janë kualifikuese dhe janë detyrim tre pikët. Nuk do futemi si në një ndeshje vëllazërore, por për ta fituar. Normalisht që është një derbi. Është një derbi ku gjëra të tipit “jemi vëllezër” nuk vlejnë brenda 90 minutave. Pas ndeshjes jemi vëllezër dhe rrimë sëbashku”, përfundoi fjalën e tij kapiteni 21 vjeçarëve kuqezi.



Skip to toolbar