Kalon vettingun emri i parë për Gjykatën Kushtetuese

AKTUALITET


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren Regleta Panajoti, e cila ka shpallur kandidaturën për në Gjykatën Kushtetuese. Në seancën dëgjimore, të zhvilluar dy ditë më parë, gjyqtarja u paraqit pa shoqërinë e një avokati mbrojtës. Mungesa e të ardhurave për të kryer disa blerje në pasuri të patundshme dhe një prej denoncimeve nga publiku, u dukën si problemet kryesore gjatë seancës dëgjimore ndaj gjyqtares së Gjykatës së Tiranës Regleta Panajoti.

Trupa gjykuese që kreu procesin e vetingut për Panajotin përbëhet nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Valbona Sanxhaktari, anëtare dhe Lulzim Hamitaj relator, theksuan se ndaj kandidates për një nga vendet në Gjykatën Kushtetuese ishte bërë hetimi në të tre kriteret.

Sipas relatimit Panajotit i mungonin 3.9 milion lekë për të justifikuar investimet e bëra, ndërsa nga një prej denoncimeve u gjet se një vendim i një trupe gjykuese në të cilën ajo ishte pjesë për pjesëtim pasurie, kishte probleme.

Panajoti kundërshtoi gjatë fjalës së saj qëndrimin e KPK mbi deklarimin e kursimeve cash në vite, duke thënë se nuk kishte pasur detyrim ligjor t’i deklaronte ato. Ajo tha se kishte sjellë prova për të treguar punën e bashkëshortit në emigracion dhe këmbënguli që ato të ardhura të deklaroheshin të ligjshme.

Regleta Panajoti e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej gati dy dekadash në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë. Ajo ka kandiduar në dy thirrje të hapura për të plotësuar vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që procesi i vlerësimit të kandidatëve është duke u kryer nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Kalimi i vetingut nga Panajoti konfirmon edhe më shumë informacionin e publikuar nga Realstory.al se  më 5 korrik, mazhoranca do të propozojë emrat për Gjykatën Kushtetuese dhe do t’i paraqesë për t’i diskutuar në Kuvend. Ky lajm u dha nga gazetari Sokol Balla në emisionin e tij Real Story duke konfirmuar edhe atë që është thënë më herët se Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale brenda verës.

Gjykata Kushtetuese aktualisht është jo funksionale prej disa muajsh për shkak se disa prej anëtarëve u përfundoi mandati ndërsa të tjerë nuk kaluan dot procesin e vettingut. Qeveria kërkon që ta vërë atë sa më shpejt në funksion. Arsyeja: Shkelja e Kushtetutës nga presidenti Meta, ku mazhoranca miratoi edhe një rezolutë në Kuvend për shkeljet ligjore që Presidenti bëri me dekretin e tij të anulimit të zgjedhjeve më 30 qershor. 



Skip to toolbar