Ish gardisti Agron Malaj, i cili sot është kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Matit, ka reaguar pas akuzave të kreut të PD-së, Lulzim Basha, si pjesë e gardistëve në protestën e 21 janarit, duke i cilësuar këto deklarata si “shpifje” dhe hedhur akuza ndaj kryedemokatit.
Përmes një postimi në Facebook, Malaj thotë se më 21 janar 2011, ai nuk ka zbatuar urdhrat që vinin nga Basha, ndërsa thekson se kurrë nuk ka abuzuar me detyrën për të qëlluar mbi protestuesit.
“Më 21 janar 2011 unë nuk kam zbatuar urdhrat që vinin nga Ju dhe më lart për të qëlluar mbi qytetarët. Ju më akuzoni se guxova të mos respektoj urdhrat tuaj. Nuk është mëkat të bësh detyrën e një komandant seksioni të njësisë speciale, por unë me atë detyrë nuk abuzova kurrë. Nuk qëllova kurrë mbi protestuesit, as unë dhe asnjë nga ata nën drejtimin tim. Ndaj ti më sulmon. Kjo është e provuar ligjërisht nga drejtësia shqiptare, e cila brenda 48 orëve vendosi ndaj meje pushimin e çështjes sepse nuk kishte asnjë element të veprës penale. Lulzim, njësoj si në 2011 kur nuk i kursyet shpifjet për të devijuar hetimet e 21 janarit nga përgjegjësit e vërtetë, një ndër të cilit jeni dhe Ju, njësoj shpifni edhe sot ndaj meje. Ju ishit ministër i Brendshëm asokohe dhe i dini mjaft mirë fajtorët, i dini mjaft mirë kush i zbatoi urdhrat për të qëlluar mbi protestuesit”, shkruan mes të tjerash Malaj.