Policia e Durrësit arrestoi një person, i cili dyshohet se është autor i disa vjedhjeve në këtë qytet. Sipas njoftimit zyrtar, në pranga është vënë shtetasi me inicialet E.G., 39 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas dyshohet se është autor i të paktën 5 vjedhjeve të ndryshme në qytetin e Durrësit, katër prej të cilave i kishte zhvilluar vetëm gjatë muajit shtator. Konkretisht, në datën 7 tetor, personi në fjalë dyshohet se vodhi një laptop, një magnetofon dhe një pajisje zëri në kopshtin “Met Hasa”.
Dy ditë para kësaj vjedhje, në datën 5 tetor, ky shtetas dyshohet se vodhi zyrat e Laboratorit të Akuakulturës dhe Peshkimit në Durrës, duke marrë një monitor kompjuteri, GPS dhe një videoprojektor. Në datën 20 shtator, ky person dyshohet se në oborrin e shkollës “Hasan Koçi”, vodhi kabllo elektrike.
Katër ditë para kësaj vjedhje, ky shtetas dyshohet se vodhi Zyrat e Njësisë Administrative nr.12 në Durrës. Ndërkohë, në 14 maj të këtij viti, ky shtetas dyshohet se tentoi të vidhte në “Dispeçerinë e Sëmundjeve të Mushkërive” në Durrës. Sipas policisë, të gjitha vjedhjet janë dokumentuar dhe materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.