Policia e Shtetit ka nisur ruajtjen e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe monitorimin e këtyre ambienteve pas kërkesës së bashkive që drejtohen nga opozita për lirimin e tyre me arsyetimin se presidenti Meta ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. Një patrullë e Policisë së Matit është vendosur pranë pallatit të Sportit “Ferit Hysa” që prej pasdites së premte duke mbrojtur zyrat ku janë vendosur materialet zgjedhore. Kryebashkiaku i Burrelit, Nezir Rizvani nga lista e PD, ishte pjesë e letrave të dërguara në KQZ për lirimin e ambienteve.
Pas kërkesave të depozituara të premten ka reaguar edhe vetë KQZ përmes zëdhënëses së saj, ku u ka bërë thirrje kryetarëve të bashkive të opozitës, që mos të cenohen KZAZ-të, pasi çdo veprim ndaj tyre do të jetë në shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor, që i ngarkon kryetarët e këtyre bashkive me përgjegjësi penale.