Elius Thartori, njeriu që i shpëtoi një atentati të mirëorganizuar tri ditë më parë në Vlorë, ka shumë gjasa që të jetë qëlluar me snajper, nga një distancë prej gati 90 metra. Thartori në momentin kur është goditur ka qenë duke qëndruar në verandën e shtëpisë së tij, ku së bashku me të ishte gruaja dhe foshnja e tyre dymuajshe. Sipas burimeve të policisë së Vlorës është qëlluar disa herë në një distancë prej 90 metra, dhe dëmtime në këtë ngjarje ka pësuar vetëm objektivi i këtij atentati, Elius Thartori. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes policia nuk ka mundur të gjejë asnjë gëzhojë, duke hedhur dyshime të forta se autorët kanë qëlluar nga brenda një makine dhe në një distancë të largët. Vetë personi i dëmtuar i kësaj ngjarje kriminale në Vlorë Elius Thartori ka pohuar në komisariat se nuk e kishte qëlluar askush, dhe sipas tij plagët e mara i kishte pësuar nga plasja e telefonit që mbante me vete. Mirëpo për shkak të plagëve në trup, plagë këto të shkaktuara me armë zjarri, thotë policia, Thartori është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku dhe ka marrë mjekim më të specializuar. Ish-mësuesi i fizkulturës në Vlorë për momentin sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën. “Shqiptarja.com” raporton se Thartori rezulton në kartotekën kriminale si person problematik kryesisht në tregtinë e drogës. Por duke ju referuar të dhënave të policisë, rezulton se Thartori është i dënuar në prill të 2008 me 10 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me paramendim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Thartori është dënuar për një krim të kryer në familje, duke vrarë njerkun e tij, krim të cilin e ka kryer në shenjë hakmarrje, pasi njerku i kishte vrarë nënën Elius Thartorit.
Gjatë kryerjes së dënimit në burgun e Korçës dhe Peqinit si dhe nga shqyrtimi i dosjes personale të këtij personi rezulton se ai paraqitet me sjellje jo të qëndrueshme dhe me çekuilibrim të karakterit. “Shqiptarja.com” mëson se Thartori për një periudhë të shkurtër kohe gjatë kryerjes së dënimit në burgun e Korçës, ka marrë tre masa ndëshkimore, ku bie në sy se masa të tilla janë marrë edhe për shkak të sjelljes së tij agresive ndaj të dënuarve të tjerë, në formën e goditjes fizike. Por pavarësisht të kaluarës së tij kriminale, policia dhe prokuroria e Vlorës besojnë se atentati i tre ditëve më parë në banesën e tij, nuk lidhet me krimin që ai ka bërë në Durrës. Dyshimet flasin se Elius Thartori është qëlluar nga persona që merren me aktivitet kriminal në tregun e drogës në Vlorë. Kjo pasi dhe vetë Thartori është i skeduar nga policia si person që merret me këtë aktivitet kriminal në zonën e Vlorës. Nga verifikimet e kryera prej policisë, është krijuar dyshime se objektivi i këtij atentati është përfshirë në prishjen e pazareve të drogës dhe për pasojë ka sjellë reagimin e palës tjetër, duke i bërë atentat me armë. Deri në këto momente për këtë ngjarje kriminale policia e Vlorës ka shoqëruar disa persona të dyshuar, por asnjëri prej tyre nuk është ndaluar. Personat vetëm janë marrë në pyetje dhe më pas janë liruar.