KKT miraton zgjerimin e Parkut në Tomorr, marrin fund guroret

AKTUALITET


Këshilli Kombëtar i Territorit diskutoi dhe miratoi të martën vendimin për zgjerimin e Parkut Kombëtar të Tomorit. Pas rrëzimit të vendimit të qeverisë për zgjerimin e këtij parku nga ana e Gjykatës së Apelit Administrativ, Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit së bashku me Agjencinë Kombëtare e Zonave të Mbrojtura organizuan 3 takime konsultative.

Takimi i parë u zhvillua me pushtetin lokal dhe komunitetin e zonës, të cilët ishin Pro, zgjerimit të sipërfaqes së parkut dhe të rinjtë e projektit “Smile Albania” vendosën të hartonin një peticion, i cili vazhdon të firmoset nga qytetarët.


Më pas u ndërmor një takim konsultativ ku morën pjesë pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës (UT) dhe të Fakultetit të Shkencave Pyjore (UBT), ekspertë kombëtarë të fushës, si dhe përfaqësues të shoqatave të Mjedisit, të cilët dhanë argumentet shkencore Pro zgjerimit të Parkut, pasi punimet në marrjen e mermerit dëmtojnë burimet nënujore, me të cilat furnizohet popullsia e zonës, ndërkohë që shpyllëzimi i vazhdueshëm dëmton habitatet e llojeve endemike të zonës.

Takimi i tretë u bë me subjektet private, që punojnë në zonë. Subjektet mbrohen me idenë, se një numër i konsiderueshëm punonjësish mbeten pa punë dhe se këto kompani kanë vite që punojnë në atë zonë. Po, këto argumente nuk janë ligjorë.

Subjekteve private leja mjedisore u jepet me detyrimin për rivitalizimin e zonës së dëmtuar nga punimet për nxjerrjen e mermerit, duke e pyllëzuar zonën e dëmtuar. Duke qenë se kushtet e lejes mjedisore nuk janë plotësuar, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit jua ka hequr këtë leje.

Gjykata e Apelit Administrativ me një vendim të saj ka rrëzuar VKM-në e zgjerimit të Parkut. Megjithëse këto takime konsultative janë zhvilluar para se sa të merrej vendimi i qeverisë, tashmë u zhvillua dhe një herë ky proces.

Sipërfaqja e Parkut Kombëtar të Tomorit ishte rreth 24 mijë e 800 ha dhe u zgjerua me rreth 1.400 ha, duke shkuar mbi 26 mijë ha. Në sipërfaqen shtesë ushtrojnë aktivitet disa subjekte private, të cilat cenonin në tërësi vlerat natyrore të Parkut Kombëtar. Me zgjerimin e sipërfaqes së Parkut, u kërkua mbyllja e aktivitetit te këtyre subjekteve private.

Mjaftuan disa muaj nga pezullimi i aktiviteteve, që në mal të riktheheshin kafshët e egra. Kamerat e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Berat, kanë fiksuar kafshët e egra në habitatin e ri te tyre, të cilat janë shtuar edhe me vendosjen e moratoriumit të gjuetisë.




Skip to toolbar