KLP nis vettingun për kancelarët në prokurori, 8 të parët

AKTUALITET


Me vettingun nuk do të përballen vetëm prokurorë e gjyqtarë që kanë bërë drejtësinë në gjithë këto vite demokraci, por edhe kancelarët e prokurorive. Këto ndryshime ligjore janë parashikuar në paketën e Reformës në Drejtësi dhe janë pjesë e masave për të parandaluar korrupsionin në të gjitha nivelet e organeve qeverisëse.

Kancelarët e prokurorive, në ndryshim nga prokurorë e gjyqtarë, nuk do të dalin përballë trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe ndërkombëtarëve të ONM, por do të shqyrtohen nga vetë KLP me një trup të caktuar që do të vendosi ky organ.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një nga organet e reja të dala si rezultat i Reformës në Drejtësi dhe ka si detyrë të tij parësore emërimin e prokurorëve e të gjitha niveleve duke përfshirë edhe SPAK si dhe propozon në Kuvend kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm. KLP emëron prokurorët në detyrë pasi ato kanë kaluar të dy fazat e vettingut, por në rastin e kancelarëve të prokurorive do e bëjë vetë vettingun e tyre, për të verifikuar pasurinë, figurën dhe formimin profesional.

KLP do të shqyrtojë 8 kancelarë, që pritet të kalojnë “sitën” e vettingut sipas Report TV, ndërsa është në pritje të informacionit të plotë të marrë edhe nga institucionet e tjera si,  ILDKPI, Tatime, SHISH, Dogana, DSIK për një hetim të saktë të kancelarëve. Konkretisht në procesin e verifikimit nga vettingu pritet të kalojnë:

Dhora Qirici, kancelare pranë Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda

Zamira Spahiu, kancelare e Prokurorisë së Apelit Tiranë

Rudina Shermadhi, kancelare e Prokurorisë së Apelit Durrës

Valentina Qoka, kancelare e Prokurorisë Tiranë.

Përparim Hoxha, kancelar i Prokurorisë Vlorës

Sotiraq Stratoberdha, kancelar i Prokurorisë Korçë

Alketa Kurmaku, kancelare Prokurorisë Elbasan

Laureta Binaj, kancelare pranë Krimeve të Rënda



Skip to toolbar