Kuqezinjtë përballë Francës, dy futbollistë me probleme

SPORT


Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar paraditen e së martës seancën e dytë stërvitore në prag të përgatitjeve për sfidën e ditës së shtunë ndaj Francës dhe me Islandën të martën të ardhshme, të vlefshme për eliminatoret e Europianit.

Nën urdhrat e trajnerit Reja për probleme fizike kanë munguar futbollistët Frederik Veseli dhe Ledian Memushaj, të cilët gjithsesi nuk rrezikojnë për këto takime. Ndërkohë Odise Roshi, një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në Kombëtare, në prag të takimeve është shprehur optimist për ndeshjen.


 “Trajneri luan me skemë nga krahët. Akoma nuk është vendosur kush do luajë. Ata që do luajnë shpresoj të japin maksimumin. Luajmë kundër kampionëve të botës. Do të jetë kënaqësi për të gjithë shqiptarët të marrim një rezultat pozitiv atje”, u shpreh Roshi.

Ndërkohë futbollisti Klaus Gjasula u përqendrua më shumë te ftesa e trajneri Edi Reja, pasi për të është herë e parë që grumbullohet me ekipin A të Kombëtares. “Është një kënaqësi e madhe për mua që jam këtu, e kam pritur këtë ditë shumë gjatë. Për mua do të ishte një gjë e madhe të nisja titullar, trajneri do ta vendosë dhe do ta shohim”, tha Gjasula.

Në kampin kundërshtar, atë të Francës, pas Dembele-s, Mbappe-s dhe Kante-s do të ketë një tjetër mungesë të madhe për ndeshjen me Shqipërinë, bëhet fjalë për Paol Pogba-n që nuk do jetë i disponueshëm për shkak dëmtimi.

Dy futbollistët kuqezi, Veseli dhe Memushaj që munguan në stërvitje, kanë shfaqur shqetësime të lehta fizike, por me shumë gjasa nuk do të rrezikojnë praninë e tyre në sfidën ndaj kampionëve të botës.

Fokusi i stërvitjes së të matës, ishte te ngarkesa fizike. Ekipi e filloi me disa vrapime e më pas grupi i lojtarëve u përfshi në lëvizje koordinative, derisa skuadra u nda në 3 grupe, ku secili kishte detyra të veçanta, i pari u përqendrua tek startet e shkurtra me ndryshim drejtimi, i dyti në vrapime në kushte loje duke improvizuar kundërshtarin, ndërsa grupi i tretë i përbërë nga lojtarët e linjës, Hysaj, Lenjani, Binaku e Roshi kryen vrapime të shpejta në vijë të drejtë.




Skip to toolbar