KMSH liron nga detyra Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra. Emërohet myftiu i ri

AKTUALITET


Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka liruar nga detyra Myftiun e Tiranës Ylli Gurra, ndërsa në vendin e tij ka emëruar Lauren Lulin. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë  Bujar Spahiu zhvilloi një takim në selinë e Komunitetit Mysliman me imamët e xhamive të Tiranës, ku prezantoi myftiun e ri të Tiranës, Lauren Luli. Gjatë takimit kreu i KMSH-së vuri theksin në dhënien e një impulsi të ri institucionit të myftinisë.

Ish Myftiu i Tiranës Ylli Gurra pas lirimit nga detyra do të mbajë postin e Këshilltarit të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.


Gurra ishte kandidat për kreun e KMSH-së në zgjedhjet që u zhvilluan pak muaj më parë, ndërsa nuk arriti që të fitonte përballë Bujar Spahiut.

Myftiu i ri i Tiranës,  Lauren Luli është teolog. Ai ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Islame në Bursa të Turqisë dhe më pas masterin shkencor në Shkencat e Hadithit në KU Bedër, Tiranë. Ai ka ushtruar detyrën e tij si imam dhe myfti si dhe prej dy vitesh mbante postin e nënkryetarit të KMSH-së.




Skip to toolbar