Myslimanët festojnë Fitër Bajramin, Bujar Spahiu: Kjo festë na fton për më shumë solidaritet me njëri-tjetrin!

AKTUALITET


Besimtarët myslimanë në të gjithë vendin kanë festuar këtë të martë Fitër Bajramin, që mbyll muajim e shenjtë të Ramazanit. Për një muaj besimtarët myslimanë në të gjithë botën u përkushtuan më shumë ndaj adhurimit të Zotit, duke agjëruar. Agjërimi është një nga shtyllat kryesore të besimit islam.

Në qytetin e Tiranës falja e Namazit të Fitër Bajramit u bë në sheshin “Skënderbej”, aty ku drejtues të Komunitetit Mysliman Shqiptar kanë mbajtur ligjërata dhe hutbe për besimtarët. Pas faljes së namazit, ka qenë kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu ai që ka mbajtur një ligjëratë për besimtarët, ku ka shpërndarë mesazhe paqeje dhe bashkimi mes tyre.


Ndërkohë, kreu i KMSH në një deklaratë për RealStory.al u shpreh se muaji i Ramazanit dëshmon qartë përkushtimin ndaj Zotit. “Sot është festa e Fitër Bajramit. Muslimanët përgjatë një muaji, një përkushtimi të madh, duke agjëruar treguan përkushtimin dhe besnikërinë ndaj Zotit. Sot e kurorëzuan me këtë ditë feste siç është dita e Bajramit, e cila dëshmon qartë se Zoti na ka urdhëruar që të gëzojmë sot”, u shpreh Spahiu.

Më tej, ai tha se ky Bajram i fton besimtarët dhe shqiptarët që të jenë më solidar me njëri-tjetrin. “Ky Bajram i fton besimtarët të jenë më solidar me njerëzit, të jemi në mbështetje të tyre, t’i mjekojmë plagët e tyre. Ramazani dhe çdo festë tjetër janë gjithmonë një shtysë themelore që njeriu e ngren dhe e lartësojnë për të krijuar raporte të drejta shumë të mira me Zotin”, tha Bujar Spahiu.




Skip to toolbar