Enkelejd Alibeaj dhe Dashamir Shehi formalizuan këtë të hënë koalicionin opozitar të disidentëve të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit. Koalicioni do të ketë si parti të regjistruar Djathtas 1912 me kryetar Rezart Kthupin, ndërsa Alibeaj prezantoi si drejtues të aleancës Dashamir Shehin.
“Ne kemi rënë dakord si koalicion, që edhe si garant i koalicion që do të ndjekë edhe procedurat formale, juridike në KQZ të jetë z.Shehi. E meriton edhe për shkak të asaj që ka qenë një ndër nismëtarët e këtij koalicioni”
Shehi pati një thirrje për të gjitha opozitarët të cilat duan ti bashkohet, edhe për Lulzim Bashën, por kësaj radhe pa dëshira për të drejtuar koalicion.
“Edhe me z.Basha derën e ka të hapur, kemi patur ndryshime në pikëpamjet, kam vënë një lloj kondicionimi që e drejtojmë ne. Nëse do pranojnë këto kushte që kemi vënë ne, është një platformë bashkëpunimi, janë të mirëpritur”
Menjëherë, pas zyrtarizimit të kësaj marrëveshjeje,, Lulzim Basha dorëzoi në KQZ një kërkesë për regjistrimin e nje partie me emrin Koalicioni Euroatlantikën.
Partia ka për kryetar vetëm në letra Endri Hasën, ndërsa lideri i vërtetë do të jetë vetë Basha. Mësohet se nuk është subjekt i ri politik, por Basha ka marrë me qira një parti me emrin Partia Konservatore e Shqipërisë e Armaldo Çunos, duke i ndryshuar emrin sa për këto zgjedhje.
Këto veprime të Bashës nuk i merr seriozisht as Sali Berisha, i cili sa herë pyetet për ish kryedemokratin, ka të njëjtin refren.
“Tani unë të komentoj për Taulant Ballë, të komentoj për Lulzim bravën, është si të komentoj për Taulant Ballën, nuk ia vlen. Ai identitetin e tij, ia fali Taulant Ballës, ato u bënë një”.