Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar të enjten padinë e dy partive opozitare, PD dhe LSI, të cilët ankimuan vendimin e KQZ-së, që këta të mos kenë komisionerë në KZAZ-të, me argumentimin se nuk janë subjekte zgjedhore, pra nuk marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Kolegji Zgjedhor pasi shqyrtoi sot padinë e PD dhe LSI, vendosi ta rrëzojë atë dhe të pranojë vendimin e KQZ-së.
Në këtë mënyrë, përfundimisht PD dhe LSI nuk do të kenë komisionerë në KZAZ në zgjedhjet e 30 qershorit.
Në seancën e zhvilluar në Kolegj, përfaqësuesi ligjor i PD-së Ivi Kaso tha se opozita ka të drejtë që të ketë komisionerë në KZAZ-të edhe pse ka bojkotuar zgjedhjet. “Në Kod Zgjedhor thuhet se për nivelin e dytë, 2 anëtarë propozohen nga shumica dhe 2 nga forca më e madhe opozitare. Duhet të ketë baraspeshim shumicë dhe opozitë.
Nuk ka asnjë kriter që lidhet me zgjedhjet. Po interpretohet Kodi Zgjedhor nga KQZ sikur e imagjinojnë ato. Nuk ka ndodhur ndonjë herë që KQZ nuk e lexon sikur duhet Kodin. Kodi Zgjedhor ka thënë parti e shumicës parlamentare jo subjekt zgjedhor. Ka një afat që e përcakton Kodi Zgjedhor, nëse nuk bëhet Kodi e ka zgjidhjen, pika 5 ku thuhet nëse nuk sillen kandidaturat KQZ ka të drejtë nga shoqëria civile të fusë kandidatë.
Synojmë të menaxhojmë procesin delikat të procesit zgjedhor. Nuk ka përse procesi të ketë vetëm një anë. Të mbrohet interesi i qytetareve, të atyre që votojmë dhe jo”, tha ai. Ndërsa në përfundim të seancës ku u dha vendimi kundër duke rrëzuar kërkesën, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso deklaroi ‘presim vendimin e zbardhur’.