Kombëtaret e moshave, ndryshime tek U-21, nisin grumbullimet për U-15, U-16 dhe U-17

KOMBËTARE


Kombëtarja U-21 do të luajë pak ditë më pas ndeshjen zyrtare me Turqinë, e vlefshme për kualifikueset e evropianit. Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi është duke vijuar grumbullimin në qytetin e Durrësit, pasi kanë lënë Elbasanin. Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se skuadra do të vijojë të jetë në Durrës deri më 5 qershor, dhe më pas do të niset drejt Stambollit.

Skuadra kuqezi do të synojë të fitojë ndaj turqve, pasi këto të fundit fituan ndeshjen e parë zyrtare në mars ndaj kombëtares tonë këtu në Shqipëri. Megjithatë, gjatë të hënës ka pasur ndryshime në listën e lojtarëve të grumbulluar. Jon Mersinaj për shkak dëmtimi është larguar nga grumbullimi dhe nuk do të jetë i disponueshëm për këto ndeshje dhe në vend të tij është grumbulluar Lorenco Vila nga nga skuadra e Teutës.


U-15 / Shqipëria fillon përgatitjet për turneun kroat

Shqipëria e 15 vjeçarëve, nën drejtimin e trajnerit Armand Dama, ka filluar ditën e sotme stërvitjet në kuadër të pjesëmarrjes në një turne ndërkombëtar që zhvillohet në Kroaci në datat 8 dhe 9 Qershor. Trajneri Dama ka grumbulluar për këtë turne 20 lojtarë, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga kampionati shqiptar, si edhe disa lojtarë të datëlindjes 2005 që luajnë jashtë vendit. Shqipëria ndodhet në Grupin B, në një grup me NK Interblock, Slaven Belupo dhe NK Hask 1903.

Në Grupin A bëjnë pjesë Dinamo Zagreb, NK Zagreb, NK Sesvete dhe Hrvatski Dragovoljac. Kuqezinjtë e vegjëll e fillojnë rrugëtimin e tyre në këtë turne në datë 8 Qershor me ndeshjen ndaj NK Interblock, që do të zhvillohet në orën 12:00. Po në të njëjtën ditë do të zhvillohet dhe ndeshja e dytë, në orën 16:30 ndaj Slaven Belupo. Në datë 9 Qershor do të luajnë ndeshjen e fundit në grup kundër NK Hask 1903 në orën 10:00. Pasdite do të zhvillohen edhe ndeshjet finale për vendin e 7-të, vendin e 5-të, vendin e 3-të dhe finalja e madhe që do të shpallë ekipin fitues të turneut.

U-16 / Shqipëria merr pjesë në turneun ndërkombëtar “Etlinger 2019”

Shqipëria U-16 ka filluar ditën e sotme grumbullimin për Turneun Ndërkombëtar “Etlinger 2019”. Ky turne ku marrin pjesë 8 skuadra do të zhvillohet në Kroaci nga data 7 deri në 9 Qershor. Në urdhërat e trajnerit Elvis Sina do të jenë 19 lojtarë, të cilët sot kanë filluar seancat stërvitore në kompleksin Tropikal ku do të qëndrojnë deri përpara nisjes për në Kroaci.

Shqipëria ndodhet në Grupin B, së bashku me Dinamo Zagreb, Spal dhe Dinamo Brest, ndërkohë që në grupin A janë shortuar Kroacia, Lokomotiva Zagrebit, Udinese dhe Nacional i Portugalisë. 16 vjeçarët kuqezi do të luajnë ndeshjen e parë dhe të dytë më 7 Qershor, ndaj Spalit në orën 11:30 dhe ndaj Dinamo Brest në orën 16:00. Në datë 8 Qershor, kuqezinjtë e vegjël luajnë ndeshjen e tretë dhe të fundit në grup, ndaj Dinamo Zagreb në orën 17:30. Turneu “Etlinger 2019” përfundon të dielën, në datë 9 Qershor, kur do të luhen ndeshjet për vendin e 3-të dhe finalja ndërmjet fituesve të dy grupeve.

Lista e lojtarëve të grumbulluar:

Shqipëria U-17, dy ndeshje miqësore me Maqedoninë e Veriut

Shqipëria U-17 e drejtuar nga trajneri Elvin Beqiri do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj fqinjëve të Maqedonisë së Veriut në datat 5 dhe 7 qershor. Pjesë e këtij grumbullimi do të jenë plot 23 futbollistë të grumbulluar nga tekniku Beqiri, të cilët do të vëzhgohen me kujdes në këto dy ndeshjet për të evidentuar elementët më cilësorë të datëlindjes 2003 që përbëjnë dhe bazën e këtij grupi.

Ndeshja e parë do të zhvillohet në vendin tonë, pikërisht në Korçë me datë 5 qershor në stadiumin “Skëndërbeu” dhe më pas në datë 7 qershor në Ohër. Grumbullimi i përfaqësueses kuqezi ka filluar prej ditës së djeshme në Korçë. Shqipëri vs Maqedonia e Veriut datë 5 Qershor ora 17:00 në Stadiumin “ Skënderbeu” Korçë. Maqedonia e Veriut vs Shqipëri datë 7 Qershor ora 17:00 në Stadiumin “ Ohër” Maqedoni

Njihuni me listën e futbollistëve të grumbulluar:




Skip to toolbar