Partia e Presidentit Volodimir Zelensky është duke kryesuar rezultatin paraprak të zgjedhjeve parlamentare në Ukrainë, raportonojnë mediat ndërkombëtare. Sipas të dhënave që jep Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Ukrainë, rezultatet paraprake e nxjerrin fituese partinë “Shërbëtori i Populli” me 42.19% të votave, pasi deri në mëngjesin e të hënës është numëruar 1/3 e fletëve të votimit.
Ndërkohë, partia pro-ruse e opozitës, ka siguruar 12.75% të votave, ndërsa partia e ish-presidentit Petro Poroshenko ka marrë 8.71%. Në votimet e të dielës u regjistrua pjesëmarrja më e ulët në zgjedhjet parlamentare në 25 vitetet e fundit në Ukrainë, me vetëm 49.9% të votuesve. Zelensky është shprehur se do të ishte i lumtur të bashkëpunonte me partinë “Zëri”, kryesuar nga rok-star Svitolsav Vakarchuk, për të krijuar një koalicion qeverisës.
Aktualisht partia “Zëri” ka marrë rreth 6.39% të votave, ndërsa një zëdhënës i saj është shprehur se kjo parti është gati për të mbështetur një koalicion qeverisës, me kusht që ai të mos jetë i mbështetur nga oligarkët.
Volodimir Zelensky është një ish-komedian në Ukrainë, që arriti të mposhte në zgjedhjet presidenciale tre muaj më parë Poroshenkon, duke fituar presidencën në balotazhin e dytë me 73.2% të votave.
Ndonëse nuk kishte përvojë në politikë, Zelensky arriti të përcillte në popull mesazhe të forta kundër korrupsionit dhe oligarkëve, dhe tre muaj më pas, ai pritet të ketë nën kontroll edhe qeverinë e vendit.