Gjyqtarja Kosova mbetet në detyrë, tërhiqet KP

AKTUALITET


Për herë të parë që nga nisja e procesit të Vettingut, Komisioneri Publik është tërhequr nga një ankimin bërë për një pjesëtar të sistemit të drejtësisë. Konkretisht, katër muaj pas ankimimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioneri Publik është tërhequr nga kërkesa e ankimit në Komisionin e Posaçëm ta Ankimit për gjyqtaren e Apelit për Krimet e Rënda, Nertina Kosova. Gjyqtarja Kosova kaloi me sukses Vettingun në 18 korrik të vitit 2018, por Komisioneri Publik nuk ishte dakord me vendimin e KPK-së, duke e ankimuar atë në Komisionin e Posaçëm të Apelimit.

Një vit më parë, gjatë vendimit të KPK thuhej se “gjyqtarja Kosova nuk ka fshehur pasurinë dhe ishte e aftë profesionalisht, ndërsa cilësohej se nuk kishte lidhje me persona të lidhur me krimin”. Pas këtij vendimi të KPK-së, Komisioneri Publik doli me një deklaratë duke argumentuar sipas tij edhe arsyet pse Nertina Kosova duhet të rikthehej në procesin e rivlerësimit.


“Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, referuar pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, shkruhej ndër të tjera në njoftimin e Komisionerit Publik.

 Ende nuk dihen arsyet e argumentuar, pse Komisioneri Publik, tërhiqet për herë të parë nga një çështje e ankimuar prej tij në Komisionin e Posaçëm të Apelimit, duke konfirmuar në detyrë rrjedhimisht gjyqtaren Nertina Kosova.




Skip to toolbar