Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi në parim paketën “Anti-shpifje”, të propozuar nga Këshilli i Ministrave për miratim në Kuvend. Të hënën u zhvilluan diskutime në komisionin e ligjeve, ndërkohë që në të njëjtën orë opozita zhvillonte një tryezë me gazetarët ku premtoi se do anulonte ligjet e kësaj pakete, kur PD të vinte në pushtet.
Ligjet e paketës “Anti-shpifje” tashmë i shkojnë Kuvendit për miratim në seancën e 19 dhjetorit. Ndonëse këto ligje janë kundërshtuar nga shoqatat e gazetarëve dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, deputetët e Komisionit të Ligjeve e shohin në këndvështrim pozitiv paketën. Klotilda Bushka u shpreh se “Regjistrim i operatorëve mediatikë online, nuk është i detyrueshëm, por mundësi që u ofrohet dhe regjistrimi i tyre është mundësia për të përfituar nga iniciativat fiskale”, u shpreh Klotilda Bushka, relatorja e kësaj pakete.
Më tej, relatorja shpjegoi edhe mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Ankesave, që do të krijohet me paketën e re ligjore si institucion pranë AMA. Ajo tha se ky institucion do të jetë me konkurs, që do të organizohet nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.
“Nisur nga ndjeshmëria e grupit të interesit, që ka pasur ankesa për pavarësinë e Këshillit e Ankesave, sesa i pavarur do të jetë ky këshill, për sa kohë që ai krijohet nga AMA. Kemi vlerësuar, që Këshilli i Ankesave garanton pavarësi, kemi sugjeruar, procedurën e anëtarëve të Këshillit, çka do të thotë që AMA do të hapë një konkurs”, tha Bushka.
Kryetari i AMA, Gentian Sala u shpreh se për këtë institucion duhen gazetarë me mbi 10 vite eksperiencë, ndërsa sugjeroi që nuk duhet të ketë persona që vijnë nga fusha të tjera, jo e gazetarisë. “Duhet të ndryshohet sesi është konceptuar Këshilli i Ankesave, është specifikisht me gazetarë me 10 vite eksperiencë, nuk duhet të futet persona me profesione të tjera”, tha Gentian Sala, kryetari i AMA-së.