Koncesionet, Hajdari flet me gjuhën e Bashës

POLITIKË


Kryetarja e grupit demokrat Rudina Hajdari ka hedhur akuza dhe ka kërkuar hetime nga SPAK, ashtu si Basha, në lidhje me dy koncesionet Milot-Balldren dhe Orikum –Dukat, që pritet të miratohen gjatë seancës së Kuvendit. Hajdari tha nëse këto koncesione miratohen, atëherë këto dosje do i dorëzohen SPAK, sapo të krijohen në mënyrë që të mbrojë të drejtën e qytetarëve.

“Kontratat koncesionare të fundit të Milot-Balldren dhe Orikum -Dukat vijnë si oferta të pakërkuara. Si ligji “Fusha”, këto janë kontrata që qeveria kërkon të mbulojë paligjshmërinë përmes votës së deputetëve. Ministria e Ekonomisë nuk ka dhënë miratimin për këto dy projekte, që rrezikojnë buxhetin e shtetit. Shkeljet e rënda ngarkojnë me përgjegjësi nga specialisti më i thjeshtë deri te vendimmarrja e këshillit të ministrave. Ne duhet të bëjmë kallëzime në lidhje me këto dy ligje. Edhe nëse nuk merret prokuroria e përgjithshme, duhet ti denoncojmë nga ligji ‘Fusha’ deri te koncesionet e rrugëve. Këto dosje duhet të dorëzohen sapo të ngrihet SPAK-u. Duhet të mbrojmë të drejtën tonë” tha Hajdari.


Ajo që vihet re është se Hajdari ka përdorur të njëjtën gjuhë, akuza dhe kërcënime me SPAK, njësoj si kreu i PD-së, Luzlim Basha pak më herët për mediat. Basha paralajmëroi deputetët që do të votojnë pro këtyre projektligjeve se emrat e tyre do të mbahen shënim dhe do të jenë objekt i hetimeve të mëtejshme të SPAK dhe BKH-së. Duket se mes Hajdarit dhe Bashës ka një shkrirje të akujve. Kjo u vu re edhe në ceremoninë e sotme të homazheve të Azem Hajdarit, ku Rudina mori pjesë në të dy ceremonitë e organizuara nga PD, si te memoriali ashtu edhe tek Varrezat e Dëshmorëve.

Basha-Hajdari shkëmbyen mes tyre një shtrëngim duarsh duke dhënë një sinjal se pas sulmeve dhe qëndrimeve të ashpra ndaj njëri-tjetrit, mund të ketë edhe një ringrohje të marrëdhënies. Rudina Hajdari është një nga deputetet e përjashtuara nga PD, pasi refuzoi të digjte mandatin dhe ka qenë një nga kritiket e Bashës në lidhje me prostatat e dhunshme dhe aksionin politik që i la demokratët pa asnjë lloj pushteti. / Realstory




Skip to toolbar