Dy punonjës policie janë ndaluar sot në pikën kufitare të Gorricës, pasi akuzohen si të implikuar në kontrabandim mallrash. Në pranga ranë efektivët e policisë me iniciale V.Ç. dhe V.D., të dy me detyrë ndihmës specialist/kontrollor në pikën kufitare Gorricë.
Arrestimi i tyre u bë pas operacionit të 7 dhjetorit 2019, ku u arrestuan 3 punonjës policie të akuzuar për kontrabandim mallrash dhe falsifikim kompjuterik. Në vëzhgim të këtij operacioni u zbulua se ato vepronin me dy të arrestuarit, të cilët në rolin e kontrollorit regjistronin të dhëna të rreme në sistemin TIMS duke tjetërsuar targën dhe llojin e automjetit. Kjo me qëllim favorizimin e kontrabandës në këmbim të përfitimeve të paligjshme financiare.
Dy të arrestuarit lejonin e favorizonin futjen e automjeteve me mallra kontrabandë ose mallra, të cilat nuk lejohen të futen në Shqipëri, në këmbim të përfitimeve monetare.
Policët e ndaluar akuzohen për veprat penale të “Falsifikimit kompjuterik” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.