Kosova në prag të krizës së re politike që mund të çojë në zgjedhje

KOSOVA


Kosova ndodhet në prag të krizës së re politike, që mund të çojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Lëvizja Vetëvendosje në pushtet nuk siguroi numrin e mjaftueshëm të votave për të miratuar në procedurë të përshpejtuar ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kërkesë që u hodh papritmas të premten duke nxitur shumë reagime e pakënaqësi të opozitës.


Kërkesa u hodh në një seancë të jashtëzakonshme në orët e mbrëmjes por nuk kaloi meqë opozita votoi kundër.

Lëvizja Vetëvendosja tha se ndryshimi i ligjit për zgjedhjet është një detyrim elektoral për t’i mundësuar diasporës votimin nëpër ambasada. Në zgjedhjet e 14 shkurtit Vetëvendosje mori 75 për qind të votave të mërgimtarëve të hedhura nëpërmjet postës.

Kërkesa e lëvizjes Vetëvendosje u kritikua ashpër nga partitë opozitare dhe organizatat për vëzhgimin e zgjedhjeve, që e cilësuan si nismë të ngutshme dhe përpjekje për shantazh ndaj partive tjera politike para votimit për presidentin.

Më herët gjatë së premtes kryeministri Albin Kurti tha se vendi ka nevojë që së pari të përmbyllë procesin e formimit të institucioneve duke zgjedhur presidentin e ri.

“Është e domosdoshme që ta përmbyllim hapin e tretë të konstituimit të institucioneve në mënyrë që ta kemi mandatin katër vjeçar. Përndryshe, shkojmë në zgjedhje”, tha kryeministri Kurti, partia e të cilit mbështet kanidaturën e zonjës Vjosa Osmani për këtë post. /VOA/




Skip to toolbar