Nuk është çudi që kthesa demokratike e Serbisë para 26 vitesh mbeti një plagë e hapur për njeriun e fortë të Serbisë sot. Aq më tepër sepse Vuçiçi tani mund të përballet me një situatë të ngjashme me atë të Millosheviçit. Së fundmi ai dhadorëheqjen nga posti i presidentit. Në zgjedhjet e 25 tetorit synon të zgjidhet kryeministër si kandidati kryesor i Partisë Përparimtare Serbe.
“Këto zgjedhje janë një referendum”, thotë politologu dhe studiuesi i opinionit publik, Dushan Lj. Milenkoviç. “Për Serbinë ekzistojnë vetëm dy rrugë në dekadat e ardhshme: ose çlirimi nga sundimi autokratik i Aleksandar Vuçiçit, ose dekada të tëra nën represion dhe diktaturë.”
Studentët si forcë e re
Këtë herë sfida për Vuçiçin nuk vjen nga një opozitë demokratike e bashkuar. Ajo vjen nga studentët. “Lista e Studentëve” lindi nga një lëvizje e madhe protestash kundër abuzimit me pushtetin dhe korrupsionit. Për muaj të tërë studentët bllokuan universitetet kryesore të vendit. Shkak u bë shembja e strehës së saporinovuar të stacionit hekurudhor në Novi Sad në fund të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Si kandidatë studentët përzgjodhën profesorë të respektuar, aktivistë dhe figura të njohura publike. Politikanë profesionistë nuk gjen në këtë listë. Pas vitesh gjatë të cilave një opozitë e përçarë nuk arriti as ta lëkundte pushtetin e Vuçiçit, duket se kjo strategji po jep rezultat. Një nga sondazhet më të fundit i nxjerr studentët me 44,4 për qind mbështetje, ndërsa kampin e Vuçiçit me 41,7 për qind. Ndërkohë shumica e partive opozitare janë tërhequr nga gara dhe kanë vendosur të mbështesin studentët.
Sondazhe të tjera, të kryera nga institute pranë qeverisë, parashikojnë një fitore të mirë për Vuçiçin. Po në Serbi, ku besimi te institucionet dhe mediat ka rënë në nivelin më të ulët historik, edhe sondazhet shihen me skepticizëm.
Ish-kryeministri Zoran Zhivkoviç flet për një “atmosferë referendumi”. Ai ishte pjesë e koalicionit fitues të vitit 2000. Në vitin 2003 mori detyrën e kryeministrit të parë demokrat të Serbisë pas vrasjes në atentat të Zoran Gjingjiçit.
“Atëherë ekzistonte një opozitë e vërtetë dhe e organizuar mirë”, tha Zhivkoviç për DW. “Fatkeqësisht, opozita në Serbinë e sotme duket si dinosaurët në shekullin XXI. Ose nuk ekziston më, ose është shitur te regjimi. Në çdo rast, ajo nuk po kontribuon që Serbia të bëhet sërish një shtet i ndershmërisë dhe i sundimit të ligjit.”
Lëvizja e protestave është më e madhe se ajo e vitit 2000
Zhgënjimi ndaj opozitës është një nga arsyet e ngritjes së lëvizjes studentore. Arsyeja tjetër lidhet me vetë Vuçiçin. Udhëheqësi, i cili e ka orientuar Serbinë mes Bashkimit Evropian, Rusisë dhe Kinës, përballet me akuza për kontroll të mediave, shfrytëzim të pasurive natyrore dhe lidhje me krimin e organizuar.
Lëvizja e sotme protestuese e ka tejkaluar prej kohësh atë të vitit 2000. Atëherë qytetarët protestuan në rrugë për vetëm dy javë. Millosheviçi e pranoi humbjen vetëm pasi ushtria dhe pjesë të policisë refuzuan t’i bindeshin. Aparati i tij i pushtetit u shpërbë.
Megjithatë, Serbia e sotme nuk është më ajo e asaj kohe. Nuk është Serbia që doli nga një dekadë luftërash të përgjakshme gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, pas krimeve të luftës, sanksioneve ndërkombëtare, inflacionit galopant dhe bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, në kulmin e konfliktit në Kosovë.
Arritjet e 5 Tetorit
Vetëm pas 5 tetorit 2000, Jugosllavia e atëhershme e mbetur, e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi, u rikthye si anëtare e Kombeve të Bashkuara. Pagat dhe pensionet nisën të paguheshin sërish rregullisht. Gjithashtu, një pjesë e madhe e borxheve të jashtme të vendit u fal.
“Vuçiçi është përpjekur gjithmonë t’i mohojë të gjitha këto arritje të 5 Tetorit”, thotë Milenkoviç për DW. “Kjo ishte politikisht e leverdishme për të. Ashtu si shumë politikanë me pushtet të madh, ai dëshiron ta ngulisë versionin e tij të ngjarjeve në kujtesën kolektive të serbëve.”
Megjithatë, kujtimi i 5 Tetorit nuk evokohet vetëm nga kundërshtarët e qeverisë. Edhe vetë Vuçiçi prej vitesh përdor retorikë që të kujton epokën e Millosheviçit. Kritikët i quan “mercenarë të huaj”, “terroristë” dhe “fashistë”. Ndërsa revoltën kundër tij e përshkruan si një “revolucion me ngjyra” të importuar nga Perëndimi.
Përmes tabloideve më të mëdha dhe pothuajse të gjitha kanaleve televizive në Serbi, këto terma përsëriten vazhdimisht dhe përhapen te publiku.
Liberalë dhe nacionalistë, të majtë dhe të djathtë
Megjithatë, narrativat tradicionale nacionaliste dhe çështje të tilla si orientimi i Serbisë drejt Lindjes apo Perëndimit, pra drejt Bashkimit Evropian apo një aleance me “nënën ortodokse”, Rusinë, nuk luajnë rol për Listën e Studentëve. Ajo bashkon liberalë dhe nacionalistë, të majtë dhe të djathtë. Lista shërben si një mjet për ndryshimin e pushtetit. Temat e saj kryesore janë lufta kundër krimit dhe respektimi i ligjit.
Ish-kryeministri Zoran Zhivkoviç ka një këshillë: “Që tani, anëtarët e qeverisë së re duhet të jenë të përgatitur dhe ta dinë se çfarë do të bëjnë ditën pas marrjes së pushtetit, shtatë ditë më vonë dhe një muaj më pas. Brenda një viti duhet të zbatohen të gjitha reformat. Pas kësaj duhet të mbahen zgjedhje vërtet demokratike, ku secili të paraqesë programin e vet.”
Sipas tij, veçanërisht i rëndësishëm është procesi i lustracionit, pra përjashtimi nga politika i të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e regjimit të vjetër. “Ata që janë sot në pushtet nuk duhet të lejohen të kandidojnë as për këshillin administrativ të pallatit ku banojnë”, thotë Zhivkoviçi.
Studentët po e zhvillojnë fushatën e tyre kryesisht në rrjetet sociale dhe duke trokitur derë më derë. Ata nuk e fshehin as mënyrën se si e imagjinojnë fatin e Vuçiçit në rast fitoreje. Në një nga videot e tyre virale shfaqet një Vuçiç i vetmuar, ndërsa në sfond dëgjohen fjalimet e tij vetëlavdëruese. Më pas skena ndryshon: një burrë, fytyra e të cilit nuk shihet, pastron me furçë korridorin e një burgu.
Megjithatë, deri te një proces gjyqësor kundër Aleksandar Vuçiçit ka ende një rrugë të gjatë. Për momentin, kundërshtarët e qeverisë serbe druajnë nga manipulimet zgjedhore, madje edhe nga përdorimi i hapur i dhunës, si ajo që policia dhe grupe pranë qeverisë kanë ushtruar herë pas here gjatë protestave.
Jovo Bakiç, profesor i sociologjisë në Beograd dhe kandidat i Listës së Studentëve, thotë se është i bindur për fitoren. Po aq i bindur është edhe se Vuçiçi nuk do ta pranojë humbjen, ashtu siç veproi dikur Millosheviçi. Por studentët, sipas tij, kanë një plan edhe për këtë skenar. Kur revista Vreme e pyeti se cili është ai plan, Bakiçi vetëm qeshi: “Këtë nuk mund ta zbuloj.”
Duket se një pjesë e madhe e kundërshtarëve të qeverisë tashmë po përgatitet për periudhën pas zgjedhjeve: për betejën mbi numërimin e drejtë të votave dhe njohjen e rezultatit. E vetmja gjë e sigurt për momentin është se Serbia po shkon drejt procesit zgjedhor më të paparashikueshëm që nga viti 2000./DW


