Vetting nxjerr jashtë gjyqtarin e “listës së zezë” të SHBA-BE

#NËRADAR


Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi gjyqtarin Artur Malaj, duke e larguar nga radhët  e drejtësisë. Gjyqtari Pranë Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, pasi kaloi shkallën e parë të Vetting në tetor të vitit të kaluar, u rikthye në rivlerësim nga Komisioneri Publik.

Në deklaratën e Komisionerit Publik thuhej se: “Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka deklaruar saktësisht dhe plotësisht pronat në përdorim apo posedim të tij dhe të personave të tjerë të lidhur me të, si dhe nuk ka arritur të argumentojë burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave të krijimit të tyre nga personat e tjerë të lidhur, me qëllim arritjen e një niveli të besueshëm të vlerësimit të pasurisë”.


“Komisioneri Publik, në zbatim të kompetencave të njohura nga Kushtetuta, dhe në konsideratë të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që në përfundim të gjykimit të çështjes në seancë publike të vendosë ndryshimin e vendimit, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit, z. Artur Malaj”, kërkesë që u plotësua nga vendimi i KPA.

Kolegji gjeti të arsyeshme se gjyqtari Artur Malaj nuk justifikonte pasurinë, duke vendosur përfundimisht shkarkimin e tij. Gjyqtari Malaj ishte një nga disa gjyqtarët e “listës së zezë” të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Vettingut. Ndërkohë, Artur Malaj ishte kandidat për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.




Skip to toolbar