KPA shkarkon përfundimisht gjyqtarin Fatos Qato

AKTUALITET


Kolegji i Posaçëm i Apelimit, me trupën gjykuese përbërë nga Ina Rama kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ardian Hajdari, Luan Daçi dhe Rezarta Schuetz anëtarë, vendosi shkarkimin përfundimtar të Fatos Qato, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë. Në fakt, Kolegji i Apelimit vendosi të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që në datë 17 dhjetor të vitit 2018, kishte vendosur shkarkimin e gjyqtarit Qato.

Po përse u shkarkuar Fatos Qato?


Në përfundim të hetimeve dhe seancave dëgjimore, KPK kishte konstatuar se gjyqtari shfaqte probleme me pasurinë. Sipas KPK, Qato ishte pronar i një apartamenti 144 m2 në Tiranë, të cilin e kishte blerë gjatë vitit 1997 28 mijë dollarë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte konstatuar se gjyqtari nuk kishte depozituar dokumentacion për të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes për periudhën 1993-1997.

Në fakt, gjyqtari kishte deklaruar se të ardhurat ishin kursyer nga familja e tij dhe prindërit. Ndërkohë, ai rezultoi se nuk kishte burime të mjaftueshme financiare për blerjen e një apartamenti në pronësi të bashkëshortes, përfituar në vitin 2005 me kontratë dhurimi, ku kishte 50% të pronës. Gjithashtu, gjyqtari nuk arriti të justifikonte edhe disa pasuri të tij dhe familjes, të cilat i kushtuan shkarkimin nga puna gjyqtarit, Fatos Qato.  




Skip to toolbar