Vuloset fati i prokurorit: Rreshka shkon në shtëpi

AKTUALITET


Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka mbetet përfundimisht jashtë sistemit të drejtësisë, duke mos mundur të kalojë dot vettingun. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin përfundimtar të Dritan Rreshka.

Prokurori Rreshka nuk ka mundur dot të justifikojë pasurinë e tij dhe KPK ka kërkuar përjashtimin e tij. Ky vendim nuk është pranuar nga Dritan Rreshka, i cili e ka apeluar atë në KPA.

Sipas njoftimit të KPA, në mbledhjen e mbajtur ditën e mërkurë, ka njoftuar se deklarimi i prokurori të Tiranës në lidhje me pasurinë është i pamjaftueshëm duke lënë në fuqi vendimin  KPK.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama  relatore, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, anëtarë, arriti në përfundimin se subjekti i rivlerësimit Dritan Rreshka ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë ndaj në mënyrë unanime anëtarët kanë vendosur:

1- Lënien në fuqi të vendimit nr 55, datë 31.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Dritan Rreshka.

2- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Prokurori Dritan Rreshka u shkarkua në tetor të 2018 për shkak se nuk ka pasur burime financiare të mjaftueshme dhe ka kryer veprime të fshehjes së pasurisë, ndërkohë që edhe personat e lidhur me të kanë rezultuar me pasuri të pajustifikuara.

Indiciet e prodhuara nga raporti i ILDKPKI u bënë gjithashtu pjesë e hetimit administrativ të KPK-së, i cili është përqendruar në një shtëpi 4-katëshe – të përfunduar pjesërisht që prokurori kishte ngritur sipër Qytetit Studenti në Tiranë me vëllain e tij duke filluar nga vitet 2003-2004. Ai disponon edhe një investim në bono thesari me vlerë 7.9 milionë lekë ndërsa KPK argumentoi se ai kishte një mungesë burimesh financiare për blerjen e një apartamenti me vlerë 1.25 milionë lekë në vitin 2011. KPK ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi ligjshmërinë e të ardhurave nga qiraja në vitet 2009-2016 dhe të ardhurave nga emigracioni në vlerën 2.8 milionë lekë.



Skip to toolbar