Kreditë fiktive, Apeli liron 2 vartëset, lë në burg drejtoreshën

AKTUALITET


Gjykata e Apelit ka zbutur masat e sigurisë për 2 nga vartëset e drejtoreshës së Fondit Besa, duke i liruar nga burgu, por ka lënë në qeli gjashtë personat e tjerë të arrestuar për kreditë fiktive.

Masë më të butë, togat e zeza caktuan për oficeren e kredive, Esmeralda Vaso, nga arrest në shtëpi në atë të detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore dhe për Blertina Kananin nga arrest me burg në arrest në shtëpi.


Gjykata la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë arrest në burg për drejtoreshën Albana Imami, oficerin e kredisë Mihal Hanxhari dhe Orkida Driza, që luante rolin e sekseres edhe për Matilda Domin u la në fuqi vendimi i Shkallës së Parë arrest në shtëpi.

Gjatë zhvillimit të seancës Orkida Driza ka shpërthyer në lot duke i kërkuar trupës gjykuese që t’i ndryshonte masën e sigurisë dhe të shkonte pranë fëmijëve të saj. Ndërsa gjatë fjalës avokati i saj e ka cilësuar faktin se ajo është viktimë e skemës së mashtrimeve duke qenë se ka përfshirë të gjithë të afërmit, kundrejt një pagese prej 2 mijë lekësh.

Burime bënë më dije se drejtoresha Albana Imami vazhdon t’i qëndrojë të njëjtave deklarime duke thënë se ishte në kushtet e delirit dhe se kur e ka kuptuar gabimin e ka denoncuar tek eprorët.

Skema e mashtrimit me kreditë fiktive u zbulua nga drejtuesit e “Fondit Besa” të cilët kanë bërë denoncimin në polici. Dëmi i fondit ishte 1.7 milionë euro, kurse shuma që kanë përfituar sipas organit të akuzës personat nën hetim është 3.7 milionë euro.

Pre e skemës së mashtrimit me kreditë fiktive kishin rënë mbi 800 persona. Gjithçka sipas Prokurorisë u zbulua nga mesazhet që drejtoresha Albana Imami u dërgonte vartësve të saj.




Skip to toolbar