Krimet e komunizmit fusin në sherr deputetët te Ligjet

AKTUALITET


Si gjithmonë çështjet që lidhen me periudhën e komunizmit vazhdojnë ende të shkaktojnë debate të ashpra në politikën shqiptare. Kështu ka ndodhur edhe në mbledhjen e së martës të Komisionit të Ligjeve ku deputetët kanë debatuar në lidhje me ndryshimet që i janë bërë ligjit për “Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”.

Projektligji propozonte kufizim të punës së Institutit që do të merret me studimin e krimeve të komunizmit, pra të mos kalojë 29 Nëntorin e 1944-ës.

Gjatë diskutimit ka pasur edhe një përplasje mes deputetit të opozitës, kryetar i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi dhe deputetes së PS-së, Klotilda Bushkas në lidhje me kufizimin kohor të punës së Komisionit.

“Projektligji synon saktësimin e periudhës së Komunizmit në Shqipëri. Regjimi komunist nuk mund të lidhet me periudhën e luftës antifashiste nacional çlirimtare, nuk mund të jetë objekt periudhe pas periudhës 29 nëntor 1944”, tha relatori i çështjes, deklaratë që u mbështet nga deputetja Bushka.

“Më duhet të them që pikënisja e kësaj nisme ka nisur te rezoluta për vlerësimin e raportit të Institutit për krimet dhe pasojat e komunizimit ne Shqipëri. Çdo detyrë e këtij instituti ka të bëjë me periudhën nga nëntori i 1944 e më pas”, tha Bushka.

Por kjo u cilësua nga Alimadhi si një mendësi komuniste. Ai kërkonte që hetimet për krimet komuniste të nisin që në vitin 1941 pasi, sipas tij Partia Komuniste e ka nisur terrorin që në nëntor të këtij viti.



Skip to toolbar