“E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”. Meta përpiqet t’i mbushë mendjen Bashës

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta në refleksionin politik të së martës shkruan se “e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”. Kjo deklaratë e bërë nga njeriu që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit në mes të procesit, duket si një përpjekje e tij për t’i mbushur mendjen Bashës që të regjistrohet në KQZ, ashtu sikurse bëri Kryemadhi e Mediu, dhe të ushtrojnë presion për të zhvilluar zgjedhje në 13 tetor, një datë e firmosur në mënyrë antikushtetuese prej Metës.

“Pa zgjedhje nuk ka demokraci. Pa demokraci nuk ka drejtësi të pavarur. Pa të dyja së bashku nuk ka të drejta dhe ekonomi për të gjithë shqiptarët. Dhe as ndëshkim për politikanët.


Moszgjidhja i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe nuk e do çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, pasi ka për të humbur gradualisht pushtetin e paligjshëm politik, ekonomik dhe mediatik. 18 tetori po afron!”, shkruan Meta.

Ndërsa Basha, ndryshe nga Meta, tha të hënën se “zgjidhja e krizës kalon nga politikanë me pranga në duar!”.  Ndryshe nga Kryemadhi e Mediu Basha nuk u regjistrua në zgjedhjet e 13 tetorit (pasi data 5 gusht ishte afati i fundit), megjithëse bëri një përpjekje të hënën për t’u dukur se nuk është vetëm dhe se i mbështet aleatët, teksa kërcënoi KQZ-në të nisë përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve në respekt të dekretit të presidentit.

“I vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Është detyrim i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje”, tha Basha të hënën por ndryshe nga aleatët e tij, ai nuk depozitoi asnjë kërkesë në KQZ për t’u regjistruar në zgjedhje, çka e bën këtë deklaratë të tij të pavlerë, të bërë vetëm për konsum politik.

Qëndrimi i Bashës kundër dekretit të Metës ka sjellë krisjen e marrëdhënieve të tyre. Ndërkohë që para 30 qershorit, ata bashkëpunonin si dy aleatë, tani ndajnë qëndrime të ndryshme. Meta kërkon të bëhet faktor në zgjidhjen e krizës në vend. Por Basha e refuzon. Ai nuk e sheh Metën si negociator. Nuk pranon zgjedhjet në 13 tetor për shkak se i trembet edhe reagimit të partisë së tij, pasi u premtoi se s’ka zgjedhje me Ramën kryeministër dhe pa një qeveri teknike dhe nëse pranon të futet në zgjedhje pa mbajtur këto dy premtime rrezikon largimin nga posti i kryetarit. Realstory ka shkruar më herët se në shtator zërat kritikë brenda PD-së do të nisin lëvizjen “Basha ik”. Ndoshta zgjidhja për krizën në vend mund të vijë pas zgjidhjes që do të japë lëvizja “Basha ik” në PD./Realstory.al




Skip to toolbar